Banorët e një blloku banesor në Fushë-Kosovë thonë se deri më tani kanë menduar se janë duke e kursyer energjinë elektrike përmes përdorimit të tarifës së ulët. Mirëpo thonë se tek ditë më parë e hetuan se kjo përpjekje e tyre ka shkuar huq, pasi ora në njehsorë elektrikë është disa orë para ose prapa. Në KEDS thanë se ky problem është i izoluar dhe ftuan banorët që ankesat për këtë çështje t’i paraqesin në zyrat e kësaj kompanie
Florinda Abazi
Banorët e një kompleksi banesor në Fushë-Kosovë, janë ankuar se ora dhe data e njehsorit të energjisë elektrike nuk përputhen me orën në realitet. KOHA ka parë në vendngjarje ndryshimin mes tyre.
“Jemi në një bllok të Fushë-Kosovës, ku në hyrje të kësaj banese qytetarët po ankohen se ora dhe data e njehsorit të energjisë elektrike nuk po përkojnë me orën në realitet. Tani ora shënon 14 e 10 minuta e pasdites, ndërsa orët prapa meje të energjisë elektrike janë mbrapa deri në 7 e 8 orë”.
Banoret akuzojnë KEDS-in për vjedhje, pasi thonë se pa dijeninë e tyre deri më tani kanë qenë duke shpenzuar me tarifë të lartë.
Sabri Limani tregon se këtë problem e kuptuan ditë më parë. Ai thotë se tentimet e tyre për kursim të energjisë kanë shkuar huq.
“Problemi që kemi hasur tash është që ne çdo herë jemi munduar ta shfrytëzojmë kur është koha me të lirë, d.m.th. të rrymës, prej orës 11 të natës ose 10, aty që ndryshon një orë. Mirëpo, në orë kemi vërejtur se ora jonë është diku 9 orë prapa, në orën ku regjistrohet shpenzimi i rrymës. Kështu që ne jemi munduar kot ta shfrytëzojmë me të lirën, sepse ajo koha kur ne e kemi shfrytëzuar me të lirë në orë të rrymës nuk ka ekzistuar. Ne çdo herë jemi djegur në njëfarë mënyre edhe kemi harxhuar më shumë me të shtrenjtën sesa me të lirën, edhe pse jemi munduar të kursejmë ”, ka deklaruar Limani.
Edhe disa banorë të tjerë, të cilët nuk deshën të flasin para kamerës thanë se problemin e kuptuan nga faturat e energjisë elektrike, meqë në to thanë se shihej se shpenzimi i tarifës së lartë ishte trefish më shumë sesa ai i tarifës së ulët.
Në të njëjtën ndërtesë, një kat më lart, njësorët elektrikë ishin disa orë para nga ajo momentale.
Të pyetur për këtë çështje në KESCO thanë se përgjegjësia e njehsorëve elektrikë është e KEDS-it.
Ndërsa zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, ka ftuar qytetarët që ankesat e tyre për këtë çështje t’i paraqesin në zyrat e kësaj kompanie.
“Të gjithë njehsorët elektrikë janë të certifikuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, tarifave të aplikueshme në Kosovë dhe sipas ligjeve dhe rregulloreve të Kosovës. Në këtë linjë punojnë njehsorët e energjisë elektrike te të gjithë konsumatorët. Nëse ndonjë nga konsumatorët tanë ka ndonjë ankesë për ndonjë arsye që është në përgjegjësitë tona, ne e inkurajojmë atë të vijë në zyrën tonë. Në këtë këndvështrim, konsiderojmë se është një rast i izoluar”, ka thënë Krasniqi.
Banorët e këtij objekti banesor paralajmërojnë se do të ankohen edhe në KEDS për këtë problem.
Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifa e lartë aplikohet nga ora 7:00 në mëngjes deri në orën 22:00 të mbrëmje, gjatë periudhës 1 tetor deri më 31 mars.