Arbëri

Prizreni synon që sivjet t’i ketë mbi 20 mijë turistë turq

Komuna e Prizrenit e ka lidhur bashkëpunimin me Shoqatën e Agjencive Turistike Turke nëpërmjet së cilës synohet që sivjet qyteti i vjetër të vizitohet nga së paku 20 mijë turistë turq. E, përfaqësues të shoqatës thanë se aktualisht po informohen për kapacitetet vendore, me qëllim të krijimit të pakove të përshtatshme turistike për klientët e tyre

Mbi 30 përfaqësues të agjencive nën ombrellën e Shoqatës së Agjencive Turistike Turke (TURSAB) kanë qëndruar të premten në Prizren me qëllim të shqyrtimit të mundësive të bashkëpunimit me operatorët vendorë. Ata po informohen për kapacitetet vendore, me qëllim të krijimit të pakove të përshtatshme turistike për klientët e tyre.

Egemen Aydin, drejtues i TURSAB, tha se kjo shoqatë është e interesuar që qoftë me aranzhimet për Ballkanin, qoftë me ato dedikuar vetëm për Kosovën, të shpeshtohen vizitat, të promovohen Kosova dhe Prizreni, si dhe të mbështetet zhvillimi i mëtejmë i turizmit.

“Kosova me trashëgiminë e saj kulturore, me hotelet për secilin buxhet, me kuzhinë të pasur dhe me rrugët e qeta, gjithmonë ka qenë një vend mikpritës për ne”, ka thënë Aydin.

E Shaqir Totaj, kryetar i Komunës, ka shprehur pritjen që kjo vizitë të rezultojë me nisma konkrete për shtimin e shkëmbimit turistik mes dy vendeve mike.

“Deri më tani ka pasur shumë më tepër udhëtime nga Prizreni në Turqi, sidomos në bregdet, në sezonin e pushimeve vjetore. Mirëpo, unë jam i sigurt se pas inicimit të këtij bashkëpunimi do të ketë udhëtime edhe nga Republika mike e Turqisë për në Prizren dhe madje jo vetëm për një ditë, por ndoshta për një vikend, sepse ka shumë atraksione turistike”, ka thënë Totaj.

Përfaqësues të pushtetit lokal në Prizren theksuan se ky bashkëpunim do të mundësojë promovimin e vlerave turistike të qytetit të vjetër.

“Qëllimi i ardhjes së shoqatës në Prizren është krijimi i pakove të nevojshme turistike për shkëmbimin e turistëve; fillimisht promovimi i resurseve që i posedon Prizreni, njohja me bizneset e akomodimit, kulinarisë, agjencitë turistike dhe të gjithë shoqatat që posedojnë oferta turistike”, ka thënë Levent Bush, zëvendëskryesues për komunitete i Kuvendit Komunal.

Në Drejtorinë e Turizmit në Prizren kanë shprehur synimin që vizita e këtyre përfaqësuesve të agjencive turistike të ndikojë që sivjet të ketë mbi 20 mijë turistë nga Turqia në Kosovë, me qëndrim prej dy ose tri netësh.