Arbëri

Prizreni s’po arrin t’i gjejë lokacion ngrohtores qendrore

Lokacioni i parë i përzgjedhur nga Komuna e Prizrenit për projektin e ngrohtores qendrore nuk i ka plotësuar kushtet shkaku i terrenit të pjerrët. Tani po vijojnë angazhimet për gjetjen e një lokacioni më të përshtatshëm. Aktivistët e shoqërisë civile vlerësojnë se jetësimi eventual i një projekti të tillë sjell përfitime ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Përpjekjet e Qeverisë komunale të Prizrenit për gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm për projektin e ndërtimit të ngrohtores qendrore të qytetit po vazhdojnë.

Lokacioni i parë i përzgjedhur, sipas zyrtarëve komunalë, nuk i ka plotësuar kushtet shkaku i terrenit të pjerrët, ndërkohë që aktualisht po shqyrtohen opsionet më të përshtatshme.

Ndërkohë aktivistët e shoqërisë civile vlerësojnë se jetësimi eventual i një projekti të tillë sjell përfitime ekonomike, sociale dhe mjedisore.

“Sipas këtij hulumtimi mbi 95 për qind e respondentëve kanë deklaruar se është shumë e nevojshme një projekt i tillë për qytetin e Prizrenit, sepse, sipas tyre, ngrohtorja e qytetit do të ndikonte edhe në uljen e shpenzimeve ekonomike për familjet, mirëpo do të ndikonte edhe në aspektin mjedisor, do të thotë do të kemi një mjedis më të pastër”, ka thënë Nora Simitçiu nga “Ec ma ndryshe”.

Bashkimi Evropian ka ndarë një grant shtesë për futjen e ngrohjes qendrore në tetë komuna të Kosovës, me ç’rast projekti i asistencës teknike me vlerë 2 milionë euro mbështet përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Ngrohje Qendrore, bazuar në energjinë e ripërtëritshme.

Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka theksuar se ky projekt është prioritar për qeverinë lokale.

“Edhe herën e parë ne e kemi gjetur lokacionin, por për arsye të mospërshtatshmërisë së lokacionit dhe pjerrinës që ka pasur kjo hapësirë nuk është realizuar. Gjithsesi drejtoritë janë duke u marrë intensivisht me këtë çështje dhe tashmë kanë gjetur një lokacion. Pa dashur ta them lokacionin në këtë moment kur nuk e kemi të sigurt, se duhet të kontrollohet a i plotëson të gjitha kushtet, por gjithsesi kemi edhe planin B që kemi edhe një lokacion tjetër nëse ky lokacion nuk bën. Por gjithsesi nuk do të lejohet në asnjë formë që ky projekt të mos realizohet”, ka thënë ajo.

Ndërtimi i Ngrohtores së qytetit në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare është njëri nga prioritetet e qeverisjes lokale e që ishte edhe premtim elektoral.