Fundjavat në Prizren janë bërë atraktive për vizitorët nga rajoni, falë edhe ofertave të qendrave tregtare, si për të kaluar ditën ashtu edhe për blerje me praninë e brendeve të ndryshme. Ndërsa autoritetet komunale pohojnë se kanë angazhime për pasurimin e ofertës turistike me qëllim të shtimit të turistëve, por edhe ditëve të qëndrimit në këtë qytet
Turizmi gjatë ditëve të fundjavës ka marrë hov në Prizren me vizitorët nga shtetet fqinje.
Ofertat e argëtimi në qendrat tregtare kanë bërë që ato të jenë destinacione të preferuara të turistëve nga Shqipëria, por edhe nga Maqedonia, si për ta kaluar ditën ashtu edhe për blerje.
Autoritetet komunale pohojnë se kanë angazhime për pasurimin e ofertës turistike me qëllim të shtimit të ditëve të qëndrimit të turistëve në këtë qytet.
Aleksandra Toçka dhe Albina Skopeci nga Prenjasi i Shqipërisë bashkë me shokët e klasës ishin në Prizren ditë më parë për ekskursion dhe gjatë shëtitjes me trenin turistik në qytet, kanë marrë sugjerime që ta vizitojnë qendrën tregtare “Abi Çarshia”.
“Një nga gjërat më të bukura ishte që ne bëmë një foto si shoqëri, edhe ka shumë dyqane ku mund të blejmë rrobe të ndryshme, mund të blejmë suvenire të ndryshme ose diçka simbolike për një person të familjes tonë”, u shpreh Albina Skopeci nga Prenjasi.
Ndërsa Alejna Sylejmani nga Shkupi ishte për vizitë në Prizren pas sugjerimeve që ka marrë nga kolegët, dhe sipas saj, oferta në qendrën tregtare të hapur është mjaft e pasur.
“Me kalu ditën ka shumë mundësi, si për shembull ke mundësi për kafe, mundësi për shoping, por ne si shqiptarë jemi të dhënë pas kafeve kështu që paska shumë rini nëpër kafe”, deklaroi Alejna Sylejmani.
Gürkan Palas nga menaxhmenti i “Abi Çarshisë” ka theksuar se koncepti i kësaj qendre tregtare është i përshtatshëm për të gjitha moshat dhe se si rrjedhojë tërheq shumë vizitorë nga rajoni e sidomos nga Shqipëria.
nga vendet fqinje, e posaçërisht nga Shqipëria kemi shumë vizitorë gjatë fundjavave sepse qendra tregtare është shumë dinamike me ofertë të përzier, kemi kinemanë më të madhe në rajon, hapësirën më të madhe të argëtimit, shumë brende, dhe restorante e kafe”, ka thënë Palas.
Zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka bërë të ditur se qeveria lokale përmes politikave publike e gjallërimit të jetës kulturore-artistike synon shtimin e numrit të turistëve nga rajoni.
“Turistët e veriut nuk janë vetëm turistë, por janë edhe efekt i madh ekonomik për Prizrenin, për arsye që ata edhe blerjet i bëjnë në marketet këtu, në të njëjtën drekat dhe darkat gjatë ditës për arsye të afërsisë që e kanë me Prizrenin si qendër më e madhe”, deklaroi Hoxha.
Sipas legjislacionit në fuqi, Prizreni është kryeqyteti historik i Republikës së Kosovës.
Me qytetet e Shqipërisë lidhet me autostradë, derisa në plan është edhe ndërtimi i autoudhës për në Tetovë.