Për nëntë muaj, Komuna e Prizrenit ka shpenzuar 28 milionë euro nga buxheti i planifikuar prej 55 milionë eurosh. Përqindja më e ulët e realizimit është tek investimet kapitale me 32 për qind. Teksa opozitarët kanë kërkuar sqarime për suficitin e mundshëm, ekzekutivi ka pohuar se të pazotuara kanë mbetur 3.5 milionë euro
Komuna e Prizrenit gjatë nëntë muajve të këtij viti ka arritur të shpenzojë gjysmën e buxhetit të planifikuar për këtë vit. Niveli më i ulët i realizimit është tek investimet kapitale, ku janë shpenzuar vetëm një e treta e mjeteve të planifikuara.
Drejtori i Financave, Sulltan Badallaj, në seancën e fundit të Kuvendit të Prizrenit ka paraqitur raportin financiar nëntëmujor, me ç’rast ka theksuar se nga 55 milionë euro të buxhetit komunal, gjatë periudhës raportuese janë shpenzuar 28 milionë euro.
“Realizimi i tërësishëm i buxhetit është prej 51.38 për qind deri në fund të muajit të nëntë”, ka thënë Badallaj. “Te investimet kapitale kemi 17 milionë e 365 mijë, ndërsa janë shpenzuar diku 5 milionë e 620 mijë. Në përqindje janë 32.36 për qind”.
Sipas informatave të zyrtarëve përgjegjës për financat, deri më tani kanë mbetur të pazotuara rreth 3.5 milionë euro, derisa ende nuk dihet se sa mjete do të shkojnë në suficit.
Opozitarët kanë kërkuar sqarime lidhur me vlerën e mjeteve që s’mund të shpenzohen nga granti qeveritar.
“A keni ndonjë informatë ose llogaritje me e ditë përafërsisht se sa do të mbetet suficit këtë vit? Mundeni me pasë parasysh sa janë projektet në pritje, sa është shpenzuar deri tani komplet...”, është pyetja që ka shtruar asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Dafina Alishani.
Por drejtori Badallaj ka theksuar se nuk mund të përmendë ndonjë vlerë, pasi, sipas tij, shumë projekte janë në realizimin e sipër, dhe ka theksuar se ato janë tenderuar me vonesë.
“Mjetet që kanë mbetur pa u zotuar janë diku 3 milionë e 500 mijë euro. Tash a do të mbesin, a nuk do të mbesin do të shohim deri në fund se për arsye të volumit të madh të punëve është vështirë me dhënë shifër tash”, ka deklaruar Badallaj.
Në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, shpenzimet e buxhetit komunal të Prizrenit kanë qenë afro 34 milionë euro apo 64 për qind nga buxheti i përgjithshëm prej 53 milionë eurosh. Te investimet kapitale vjet nga shuma prej 20.5 milionë eurosh ishin shpenzuar 7.7 milionë euro, apo 37.57 për qind.