Prizreni aktualisht s’ka tualete publike. Komuna ka planifikuar t’i ndërtojë dy sosh me qasje gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me USAID-in. Por, në takimin me qytetarë, banorët e njërit lokacion kanë shprehur skepticizëm e mospajtime. Ndërkaq, zyrtarët janë zotuar se do të ketë menaxhim të duhur të këtyre tualeteve publike, meqë ato janë të domosdoshme shkaku i turistëve e vizitorëve
Prizreni vizitohet nga turistë të shumtë, por aktualisht në qendrën historike nuk ka tualet publik.
Në mungesë të këtij shërbimi bazik vizitorët dhe qytetarët shfrytëzojnë alternativa të tjera, respektivisht lokalet e gastronomisë.
Për këtë arsye Komuna po planifikon që t’i ndërtojë dy tualete publike në bashkëpunim me USAID-in.
E në takimin me qytetarë, banorët e njërit prej lokacioneve të propozuara te hapësira e gjelbër prapa Drejtorisë së Financave, kanë shprehur mospajtime për këtë projekt, veçanërisht rreth menaxhimit e mirëmbajtjes së tualeteve publike.
“Ne jemi ata që i vuajmë pasojat e erërave, edhe higjienës e krejt këto. Me gjithë respektin që kanë menduar për PAK-të dhe të gjithë, por unë jam skeptik sa i përket mirëmbajtjes. Jam shumë skeptik sa i përket mirëmbajtjes se në fillim ndoshta mirëmbajtja do të jetë në nivel, por pas një kohe nuk besoj se mbetet në nivel të njëjtë”, ka thënë Armend Spahiu.
Ankesa theksoi edhe një tjetër banor.
“Ne si banorë që kemi ardhur këtu 4-5 vetë me i përfaqësua banorët s’jemi të pajtimit absolutisht”, ka theksuar Zenel Hasi.
Kundërshtimin e ka shprehur edhe Noli Spahiu.
“Përveçqë s’jemi kundër konceptit, edhe projekti si projekt në pamje po na pëlqen shumë, por lokacioni është një lokacion që për neve është problematik”, ka thënë ai.
E, lidhur me komentet se vizitorët mund t’i shfrytëzojnë tualetet e gastronomisë ka reaguar aktivistja e shoqërisë civile, Resmije Rahmani, duke rikujtuar se ato nuk janë të qasshme për personat me aftësi të kufizuara dhe se ky problem mund të zgjidhet me tualete publike.
Ndërkaq Çelë Lamaj, drejtor i Shërbimeve Publike, ka garantuar banorët se në të dyja lokacionet, si në parkingun e Komunës ashtu edhe prapa Drejtorisë së Financave, do të ketë menaxhim të duhur.
“Edhe ne në këtë qytet do të shikojmë me i bë këto tualete që me u dhënë shembull edhe komunave tjera dhe turizmit të huaj e vendor se ne dimë me i menaxhua dy tualete, të cilat janë të domosdoshme për qytetin e Prizrenit. Si komunë do ta gjejmë formën së bashku me USAID-in, normalisht që jemi tërë kohën në kontakt, për menaxhimin edhe mirëmbajtjen e këtyre tualeteve”, ka thënë Lamaj.
Zyrtarët e Komunës së Prizrenit kanë theksuar se diskutimet lidhur me këto propozime do të vijojnë.