Organet komunale të Prizrenit me muaj të tërë kanë punuar në hartimin e Propozim-Rregullores për trajtimin e mënyrës së shfrytëzimit të hapësirës publike në qytet dhe në Zonën Historike të Prizrenit, por që akoma nuk e ka kaluar filtrin e ligjshmërisë nga niveli qendror. Një akt i tillë komunal, sidomos për zonën e mbrojtur, po konsiderohet si i nevojshëm nga aktivistët e shoqërisë civile
Propozim-Rregullorja komunale që synon vendosjen e rendit në shfrytëzimin e hapësirës publike në qytet dhe në Zonën Historike të Prizrenit ka mbetur pezull, pasi niveli qendror e ka kthyer për të dytën herë në rishqyrtim.
Përderisa aktivistët e shoqërisë civile e konsiderojnë të nevojshme një akt të tillë, zyrtarët komunalë kanë pohuar se do të kenë diskutime me ministritë se si të procedohet tutje me këtë rregullore.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) përmes një shkrese në fund të vitit të shkuar pati njoftuar autoritetet lokale se nuk janë marrë për bazë të gjitha rekomandimet e adresuara në tetor të vitit 2022 në kuadër të kërkesës për rishqyrtim të ligjshmërisë.
“Gjithashtu, konstatuam se Ligji për Planifikim Hapësinor dhe Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk e parashohin hartimin e një rregulloreje të tillë”, thuhet mes të tjerash në këtë shkresë.
E, Jona Hoxhaj, zëdhënëse e Komunës së Prizrenit, ka theksuar se rekomandimet e ministrive janë marrë për bazë dhe se sipas interpretimit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka dispozita ligjore që lejojnë hartimin e një rregulloreje të tillë.
Por thekson se për këtë çështje do të ketë konsulta shtesë me nivelin qendror.
“Do të kemi diskutime me Ministrinë e Kulturës se si duhet të veprojmë. Pasi që Ligji për Trashëgimi Kulturore, siç na raportoi drejtori, ka një nen që na lejohet të kemi rregullore, gjithmonë sipas asaj që na tha drejtori, por kjo duhet të konstatohet dhe ta diskutojmë edhe një herë me Ministrinë, që të marrin një vendim se si do të procedohet me këtë rregullore”, ka thënë zëdhënësja Hoxhaj.
Ndërkaq, Veron Tara, aktivist i shoqërisë civile, konsideron se një rregullore e tillë është më se e nevojshme, sidomos për Qendrën Historike të Prizrenit.
“Por në momentin kur është aprovuar plani i menaxhimit, që cek se duhet të bëhen rregulloret, atëherë është një problem, ndoshta mund të them i dyanshëm. Ndoshta problemi mund të jetë emërtimi, të mos e quajmë rregullore e ta quajmë plan, ose thjesht një dokument tjetër. Por në përgjithësi plani ka përfunduar, ka pasur komente prej MKRS-së dhe MAPL-së që i kemi adresuar edhe ato çështje, por përsëri na është kthyer negative, gjë që për mendimin tim Qendrës Historike të Prizrenit me urgjencë i nevojitet një rregullore e tillë”, ka thënë Tara.
Rregullorja, sipas zyrtarëve komunalë, duhet të shërbejë për përcaktimin e bazës juridike dhe kritereve themelore për lejimin e vendosjes së objekteve të përkohshme në sipërfaqe publike, duke përkufizuar zonat ku ato mund të vendosen, llojet e mënyrën e vendosjes së tyre etj.