Organet komunale të Prizrenit përmes kartës së vullnetarit po synojnë që të nxisin vullnetarizmin, porse deri më tani nuk kanë gjetur bazën ligjore për ta formalizuar në rregulloren për vullnetarizëm. Aktivistë të shoqërisë civile shpresojnë që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme
Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me aktivistë të shoqërisë civile, nga muaji dhjetor i vitit të kaluar ka filluar procesin e hartimit të rregullores për vullnetarizëm. Dokumenti është afër finalizimit, ndonëse si çështje diskutabile ka mbetur përfshirja në të e kartës së vullnetarit.
Velard Paqarizi, aktivist i shoqërisë civile dhe anëtar i grupit punues për hartimin e rregullores, thotë se Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë nuk e parasheh një kartë të tillë, por ka shtruar nevojën që në aktin komunal të futet karta e vullnetarit, për të nxitur punën vullnetare në mesin e të rinjve.
“Kjo kartë në një mënyrë do t’i nxisë të rinjtë e Prizrenit të bëjnë punë vullnetare, sepse përmes kartës ata do të kenë disa benefite dhe përparësi, për shembull do të lirohen nga pagesa në aktivitetet kulturore dhe sportive në Komunën e Prizrenit, do të kenë zbritje të pagesës në transportin publik e kështu me radhë”, ka thënë Velard Paqarizi nga OJQ “Idea”.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, në mbledhjen e fundit të ekzekutivit lokal ka kërkuar që proceset e nisura për hartimin e rregulloreve të përmbyllen brenda afateve optimale.
E, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Adem Morina, ka bërë të ditur se propozim-rregullorja është përgatitur dhe se për çështjen e vetme të mbetur – kartën e vullnetarit – është kërkuar një interpretim ligjor nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Është e domosdoshme për qytetarët dhe Komunën e Prizrenit, dhe ne jemi shumë optimistë që brenda mundësive do t’i shterojmë të gjitha mundësitë e ekspertëve, që ta krijojmë kartën e vullnetarit apo kartën e vullnetarizmit, sepse është e domosdoshme që të ketë një dokument, me të cilin ne jemi të obliguar si në aspektin moral edhe politik që t’i shërbejmë kësaj kategorie që është jashtëzakonisht e respektuar në qytetin e Prizrenit”, ka thënë Morina.
Krijimi i kartës së vullnetarit, si shtysë për nxitjen e vullnetarizmit, ka qenë njëri prej premtimeve parazgjedhore të kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj.