Kuvendi Komunal i Prizrenit mori vendim për të mbështetur me 10 mijë euro zonat e prekura nga tërmeti në Turqi. Shumë e njëjtë është ndarë edhe për Komunën e Skenderajt që muajin e shkuar ishte goditur nga përmbytjet. Me shumat që i kualifikuan si simbolike, vendimmarrësit lokalë thanë se kanë shprehur solidaritetin me popullin turk dhe me qytetarët e Skenderajt
Anëtarët e Kuvendit Komunal të Prizrenit të martën i dhanë miratim unanim vendimit për ndarjen e nga 10 mijë eurove për rajonet e prekura nga tërmeti në Turqi dhe për Komunën e Skënderajt, që muajin e shkuar ishte goditur nga përmbytjet e shkaktuara nga të reshurat atmosferike.
Në seancën e jashtëzakonshme për shqyrtimin e këtij vendimi është theksuar se mbështetja me shuma simbolike paraqet shprehjen e solidaritetit me popullin turk dhe me qytetarët e Skenderajt.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, theksoi se veprimi ka të bëjë me keqardhjen për humbjen e jetëve njerëzish dhe për dëmet e shkaktuara.
“Ne e dimë që dëmet atje janë katastrofale dhe jetët në njerëz nuk mund të kompensohen. Edhe dëmet materiale janë shumë të mëdha, mirëpo ne, përmes kësaj seance, përmes kësaj shume simbolike, dëshirojmë të shprehim qëndrimin tonë dhe keqardhjen tonë lidhur me tragjedinë që ka ndodhur atje. E njëjta gjë vlen edhe për Skenderajn, edhe pse atje dëmet janë shumë të vogla dhe shuma që ne planifikojmë të ndajmë mund të ketë një efekt pak më të madh”, ka thënë Totaj.
Asamblistët e mbështetën vendimin me justifikimin se në kohët më të vështira Turqia ishte gjendur pranë Kosovës dhe se tani populli turk ka nevojë për solidaritetin e Kosovës.
“Shuma që sot ne e japim është sa një pikë uji në oqean, mirëpo kjo vjen nga zemra e pastër e qytetarëve të Prizrenit, për t’i ndihmuar vëllezërit tanë që gjenden në kushte shumë të vështira”, ka thënë asamblistja e PDK-së, Ymran Fusha.
Përfaqësues politikë nga radhët e partive turke shprehën mirënjohje për të gjithë ata që janë angazhuar të mbështesin Turqinë pas tërmetit shkatërrimtar.
“Dua që t’i falënderoj një nga një të gjithë vëllezërit shqiptarë, boshnjakë, romë, miqtë nga komuniteti katolik, për mbështetjen e shprehur”, u shpreh asamblisti Levent Bush nga KDTP-ja.
“Veprimi më i vogël i solidaritetit që vendoset nga organet komunale të Prizrenit jam i sigurt se do të jetë një shembull i madh për gjeneratat e ardhshme”, shtoi asamblisti Ertan Simitci nga YTHP-ja.
Bazuar në të dhënat zyrtare nga autoritetet turke, deri të martën në mesditë, nëpër zonat e prekura nga tërmeti në Turqi kanë vdekur afër 32 mijë persona. E sipas vlerësimeve të autoriteteve komunale në Skenderaj, dëmet e shkaktuara nga vërshimet e 19 janarit janë mbi 12 milionë euro.