Kthimi i misioneve diplomatike po mirëpritet në Prizren. Qyteti i vjetër tashmë ka një traditë të shquar të pranisë së disa konsullatave që daton nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Derisa në vitin 2016, Turqia hapi Konsullatën e Përgjithshme, në fillim të këtij viti Hungaria ka hapur Konsullatën e Nderit që, sipas autoriteteve lokale, është tregues se Prizreni po e merr vëmendjen që e meriton. Paralajmërim për konsullatë ka bërë edhe Bullgaria
Vëmendja diplomatike falë pranisë së konsullatave të shteteve të huaja dikur ishte mjaft e shprehur në Prizren. Ky interesim, por në rrethana të tjera, viteve të fundit po rikthehet në qytetin e vjetër.
Në vitin 2016 Turqia ka hapur Konsullatën e Përgjithshme në Prizren, derisa në vitin 2022, Hungaria ka hapur Konsullatën e Nderit, një hap që, sipas autoriteteve lokale, mund të përcillet edhe nga Bullgaria, që ka të emëruar konsullin e nderit.
Institucionet përgjegjëse gjatë vitit 2022 kanë realizuar edhe ndërhyrjet përforcuese në ndërtesën e vjetër që dikur kishte shërbyer si Konsullatë e Austro-Hungarisë, me ç’rast është hartuar edhe projekti i restaurimit për këtë godinë.
Thellimi i bashkëpunimit
Në afërsi të saj tashmë funksionon Konsullata e Hungarisë, ku konsulli i nderit, Irfan Daullxhiu, ndërvepron me banorët e komuniteteve të ndryshme të Prizrenit, por edhe të komunave të tjera fqinje.
Ai ka bërë të ditur se synimi kryesor i kësaj konsullate është thellimi i bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor.
“Hapja e Konsullatës hungareze lidhet me një prezencë të Perandorisë Austro-Hungareze në këto treva dhe rëndësinë e Austro-Hungarisë për krijimin e shtetit shqiptar, si dhe me një prezencë konsullore të Austro-Hungarisë në Prizren, pikërisht në këtë vend, në këtë rrugë. Edhe është një kthim praktikisht i një pjese të monarkisë duale në Kosovë, por në rrethana të tjera, në konstelacion tjetër historik, ekonomik, politik, ku Hungaria dëshiron të përforcojë bashkëpunimin para së gjithash ekonomik, kulturor, sportiv, në shkencë, art. Ky është qëllimi kryesor i hapjes së konsullatës këtu”, ka thënë Daullxhiu.
Në afërsi të Urës së Gurit, prej gjashtë vjetësh është vendosur Konsullata e Përgjithshme e Turqisë, prani e cila determinohet edhe nga numri i madh të pjesëtarëve të komunitetit turk në këtë qytet.
Kryetari i degës së KDTP-së në Prizren, njëherësh zëvendëskryesues për komunitete, Levent Bush, ka vlerësuar se hapja e Konsullatës së përgjithshme të Turqisë ka mundësuar fuqizimin e miqësisë dhe bashkëpunimin me këtë shtet, jo vetëm për komunitetin turk, por edhe për pjesëtarët e komuniteteve të tjera që jetojnë në Prizren. Sipas tij, edhe konsullatat e shteteve të tjera janë vlerë e shtuar e qytetit të vjetër, që mundësojnë bashkëpunimin, miqësinë dhe zhvillimin e mëtejmë.
"Sa më shumë konsullata që hapen, sa më shumë konsullata nderi që hapen, qytetit të Prizrenit i japin një vlerë të veçantë, por njëherësh ndikojnë edhe për zhvillimin e Kosovës, si në ekonomi ashtu edhe në fushat e tjera, sikurse edhe lehtësojnë rrugën e integrimit në BE. Sa më shumë konsullata që hapen rritet pesha e Prizrenit dhe si prizrenas duhet të angazhohemi edhe më shumë në këtë drejtim, pasi prania e misioneve diplomatike është e rëndësishme si për bashkëpunim, miqësi ashtu edhe për zhvillim ekonomik”, ka deklaruar Bush.
Urat lidhëse që lehtësojnë komunikimin
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka shprehur bindjen se hapja e Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë, e Konsullatës së Nderit të Hungarisë, por edhe informatat ndonëse të pakonfirmuara për hapjen eventuale të Konsullatës së Nderit të Bullgarisë, janë tregues se vëmendja e diplomacisë ndërkombëtare po kthehet kah Prizreni. Sipas tij, edhe prania e Këndit Amerikan si dhe planet për krijimin e Qendrës Kulturore Franceze janë ura lidhëse që lehtësojnë komunikimin me shtete të ndryshme.
“Është një indikator shumë pozitiv, i cili tregon se qyteti i Prizrenit me gjithë historinë që e ka, me gjithë trashëgiminë që e ka, po e merr vëmendjen, të cilën në fakt e meriton, dhe unë besoj se i gjithë spektri jo vetëm politik, por edhe shoqëria civile, edhe gjithë qytetarët do të japin kontributin e vet që Prizreni të arsyetojë reputacionin që e ka edhe ta bëjmë një promovim akoma më të mirë të qytetit tonë për të gjitha vlerat që i posedon edhe të përforcojmë atë bindjen që jemi qytet multietnik, qytet i kulturës, qytet i tolerancës, por njëkohësisht edhe qytet i zhvillimit ekonomik, edukimit dhe shumë gjërave tjera pozitive, të cilat unë pres se do të ndodhin në të ardhmen”, është shprehur Totaj.
Ai ka shtuar se autoritetet komunale janë të gatshme për të mbështetur secilën kërkesë që mund të paraqitet nga shtetet e caktuara, për t’u vendosur me mision diplomatik në Prizren, sikurse edhe për realizimin e projekteve të përbashkëta qoftë në ekonomi, kulturë, arsim apo fusha të tjera.
ne jemi në fazën e ngritjes së kapaciteteve tona për t’u marrë me këto çështje dhe për të qenë atraktiv për të gjithë këta diplomatë të cilët po e vizitojnë Prizrenin”, ka shtuar Totaj.
Tradita e misioneve diplomatike në qytetin e vjetër
Sipas profesionistëve të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në fund të shekullit XIX dhe në fillimit të shekullit XX, në Prizren kanë funksionuar pesë konsullata, ajo e Austro-Hungarisë, Rusisë, Anglisë, Italisë dhe Serbisë, të cilat pas zhvillimeve të caktuara në rrjedhën e historisë edhe janë mbyllur.
Bashkëpunëtori profesional i kësaj qendre, Jusuf Xhibo, me një përmbledhje të dhënash vite më parë ka shpjeguar se si Austro-Hungaria vazhdimisht ka qenë e interesuar për Ballkanin, gjë që theksohet më shumë nga fillimi i shekullit XIX.
“Austro-Hungaria e hap Konsullatën e saj në Shkodër diku nga mesi i shekullit XIX, ndërsa pas luftës së Krimesë (1853-1856) e hap edhe në Prizren. Deri nga viti 1863 detyrën e konsullit e kryente Oskar Prohaska, të cilin më pas e zëvendësoi Dr. Petelenc. Konsullata ishte në funksion deri në vitin 1912. Pas Luftës së Dytë Botërore ndërtesa e Konsullatës ka kryer funksionin e spitalit të qytetit, respektivisht Repartit të Infektologjisë. Pas viteve '60 ajo braktiset dhe fillon shfrytëzimi nga familje të ndryshme”, ka bërë të ditur ai.
Sipas tij, pas arritjes së paqes së Edrenesë (1829) “Rusia ‘fiton të drejtën’ për kujdesin ndaj komunitetit ortodoks në gadishullin Ballkanik, kështu që në vitin 1866 fillon së funksionuari Konsullata ruse.
“Konsulli i parë është emëruar Tomasi, të cilin në vitin 1870 e pason Ivan Jastrebovi që ka ushtruar detyrën deri në vitin 1874. Pas tij emërohet konsulli Liseviç që ushtron detyrën deri në maj të vitit 1875, kur mbyllet Konsullata. Në vitin 1879 sërish hapet Konsullata, ndërsa si konsull emërohet prapë Jastrebovi. Kjo ndërtesë ka kryer funksionin e Konsullatës deri në vitin 1915, të cilën ndërtesë më pas e marrin në shfrytëzim Kisha Ortodokse Serbe. Diku në vitet 1970, kjo ndërtesë rrënohet në tërësi për të rindërtuar një ndërtesë të re me përmasa më të mëdha, që do të plotësonte nevojat e Kishës Ortodokse”, ka theksuar Xhibo.
Ai ka pohuar se në kohën e Lidhjes së Prizrenit edhe Anglia ka hapur Konsullatën e saj në Prizren, për të vëzhguar ngjarjet, ku detyrën e konsullit e ka kryer San Xhoni, derisa pas shpërndarjes së Lidhjes, kjo konsullatë mbyllet në vitin 1880. Krahas kësaj, ka sqaruar se Italia ishte e interesuar për shtetet përgjatë Detit Adriatik, e në veçanti për Shqipërinë dhe vendet e banuara me shqiptarë.
“Fillimisht filloi me hapjen e shkollave dhe aktiviteteve misionare (fetare), për vëzhgim më të afërt, për çka hap edhe konsullatat. Në Prizren, Italia e hapi Konsullatën në vitin 1907, e cila ka funksionuar deri në vitin 1915”, ka shtuar ai.
Po ashtu, më 1900, Serbia e kishte emëruar konsullin e vet Jovan Mihajlloviq, pasi kishte indikacione se Rusia planifikonte mbylljen e Konsullatës së vet në Prizren.
“Qeveria e Serbisë kishte paguar edhe qiranë për dy vjet për ambientin ku duhej funksionuar Konsullata, por ajo nuk kishte funksionuar asnjëherë”, ka njoftuar Xhibo.
Sipas vlerësimit të QRTK-së, edhe ndërtesa e vjetër e Konsullatës Austro-Hungareze, ka rëndësi të veçantë arkitekturore, tipologjike, historike, dhe ekonomike, dhe për këtë arsye kjo qendër gjatë vitit 2022 ka realizuar ndërhyrjet përforcuese në këtë ndërtesë si dhe ka hartuar projektin e restaurimit.