Arbëri

Prizreni me 5.4 milionë euro suficit, opozita e quan dështim

Buxheti i pashpenzuar prej 9 milionë eurosh nga ekzekutivi i Komunës së Prizrenit, gjatë vitit 2022, sipas vlerësimit të kuvendarëve opozitarë është tregues i dështimit në menaxhim.

Sipas raportit të prezantuar nga Drejtoria e Financave në seancën e fundit të Kuvendit të Prizrenit, realizimi i buxhetit vjet ka qenë 83.74 për qind, me ç’rast 5.4 milionë euro kanë shkuar në suficit.

Për opozitën mosshpenzimi në total i 9 milionë eurove është rekord i ri i kësaj komune.

“Dhe me siguri me këta 9 milionë do të bëheshin shumë projekte që do të ishin në favor dhe shërbim të komunitetit”, tha Ilir Gashi, asamblist i LVV-së.

“Ne kemi një milion probleme, në të gjitha anët, si në qytet ashtu edhe në fshatra, dhe që kaq mjete të shkojnë në suficit më të vërtetë nuk është në rregull”, tha Merxhan Osmani asamblist i NDS-së.

“E kam një shqetësim, e kam një frikë, mos po i ngjani ju qeverisjes së kaluar me këto suficitet, sepse realisht është bërë fenomen suficiti në Komunën e Prizrenit në pesëvjetëshin e fundit”, tha Haziz Hodaj, asamblist i LDK-së.

Por ekzekutivi lokal ka ftuar kritikët që gjatë analizës së realizimit të buxhetit të vitit të shkuar t’i marrin parasysh të gjitha rrethanat, sikurse edhe faktin që ish-pushtetarët e kanë dorëzuar mandatin pa buxhet të miratuar.

“Shfrytëzimi i buxhetit si total mund të themi që është i mirë, duke pasur parasysh rrethanat e vitit 2022, dihet buxhetin kur e kemi marrë ne të finalizuar, kur kemi filluar me tendera. Po ashtu e kemi edhe një vit i cili ka shkaktuar inflacion jo vetëm te ne, por edhe në rajon, në Evropë e në botë”, tha Sulltan Badallaj, drejtor i Financave në Komunën e Prizrenit.

Sipas raportit financiar, buxheti i Prizrenit në vitin 2022 ka qenë 55 milionë euro, prej tyre janë shpenzuar 46 milionë euro. Prej 9 milionëve të pashpenzuar 5.4 kanë shkuar në suficit, derisa pjesa tjetër bartet te të hyrat vetjake të këtij viti.