Arbëri

Prizreni e Konja sivjet organizojnë kurse për 450 nxënës

Komuna e Prizrenit sivjet organizon shkollën verore për 450 nxënës, në kuadër të së cilës do të ofrohen kurse në teknologji të informacionit, artizanate, trashëgimi kulturore e edukatë fizike. Sipas bartësve të projektit, krahas largimit nga pajisjet e mençura, për nxënësit ofrohen aktivitete për argëtim dhe mësim në ambient të larmishëm

Rreth 450 nxënës sivjet do të vijojnë shkollën verore që organizohet nga Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me Komunën turke Konja, me synimin që fëmijët të shoqërohen e të përfitojnë njohuri praktike në disa lëmi.

Pos largimit nga pajisjet e mençura, sipas zyrtarëve komunalë, ky aktivitet ofron mundësi për argëtim dhe mësim në një ambient të larmishëm.

Nxënësit e shkollave të Prizrenit kanë theksuar se presin që aktivitetet të jenë zbavitëse, por edhe të ketë shëtitje.

“Unë pres me u kënaq, me luajt, me ba aktivitete të forta, të bukura, të mira, kaq”, ka thënë Korab Bajraktari, nxënës në shkollën "Motrat Qiriazi".

“Unë pres prej shkollës verore sivjet që me shku në shëtitje më shumë edhe më pak ditë me kalu në shkollë”, ka thënë Ylli Berisha, nxënës në shkollën “Mustafa Bakiu”.

Bartësja e këtij projekti, Lirije Xhemaj-Bytyqi nga Drejtoria e Turizmit, ka bërë të ditur se sivjet në shkollën verore do të marrin pjesë 450 nxënës të moshës 9-13 vjeç, nga 13 shkolla të Komunës së Prizrenit.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është fillimisht largimi i fëmijëve nga përdorimi i teknologjisë, sensibilizimi i fëmijëve në grupmosha të ndryshme dhe me komunitete të ndryshme si dhe përfitimi i njohurive të reja mbi trashëgiminë kulturore, mbi destinacionet turistike, mësime rreth teknologjisë, pedagogjisë, etj”, ka thënë Xhemaj – Bytyqi.

Shaqir Totaj, kryetar i Komunës, ka thënë se shkolla verore është dëshmuar si program i mirë, ku nxënësit kanë mësuar nga njëri-tjetri dhe janë argëtuar me aktivitete të ndryshme.

“Prandaj edhe kemi vendos që këtë program ta vazhdojmë edhe sivjet duke qenë të bindur dhe të sigurt se nxënësit të udhëhequr nga mësimdhënësit e tyre këtë kohë sa do të zgjas ky program do të shoqërohen mes veti, do të njoftohen mes veti, do të zhvillojnë aftësi dhe shkathtësi të ndryshme”, ka thënë Totaj.

Ky është edicioni i dytë i shkollës verore në Prizren, me mbështetjen e Komunës së Konjës. Vjet në këtë aktivitet patën marrë pjesë rreth 280 nxënës.