Në dysh janë të ndarë analistët në lidhje me qasjen që presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, do ta ketë ndaj Kosovës. Disa nga analistët shprehin pritje për rritje të dinamikës në dialogun Kosovë-Serbi, e të tjerë theksojnë se administrata Trump mund të sillet ndryshe krahasuar me 4 vjet më parë.
Ditën kur Donald Trump fitoi garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, janë shprehur pritje se qasja e administratës së re amerikane ndaj Kosovës dhe dialogut me Serbinë, do të jetë ndryshe nga aktualja.
Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, ka thënë se Trumpi do t’i japë drejtim të ri politikës së jashtme, e kjo pritet të ketë ndikim edhe në dialogun Kosovë-Serbi.
“Pres që në këto muajt në vazhdim të ketë një dinamikë jashtëzakonisht të shtuar ku kërkohet me siguru ka me pas afate kohore por mbi të gjitha edhe zbatim të marrëveshjeve që janë zotuar qeveritë, si të Kosovës si të Serbisë. Besoj që me këtë qeverisje të SHBA-ve për shkak edhe të mësimeve të marra nga e kaluara të kemi befasira pozitive, si Kosovës mund të përfitojmë shumë më shumë se që mund të kemi paramenduar më herët”, ka thënë Arifi.
E, analisti politik Ben Andoni, ka vlerësuar se administrata Trump nuk do ta ketë as vëmendjen e as durimin ndaj Kosovës, siç e ka treguar ajo e presidentit Joe Biden.
“Nuk besoj që eprorët do të kenë të njëjtën qasje me Kosovën. Fokusi i SHBA-së të ardhshme flet më shumë në problemet e brendshme ekonomike dhe në qasjen e emigracionit. Mendoj që kjo do të jetë ajo që do e ndajë presidencën e Trump me paraardhësit e tij”, ka deklaruar Andoni.
Gjatë mandatit të parë të presidentit Trump, Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020 nënshkruan marrëveshje në prezencë të tij në Shtëpinë e Bardhë, por e cila nuk ka gjetur zbatim.
E gjatë mandatit të presidentit Biden, SHBA-ja e ka shtytur Marrëveshjen Bazë, të sponsorizuar nga vendet kryesore të BE-së.
Derisa Arifi ka pritje që Kosova dhe Serbia të shtyhen drejt zbatimit të të dyja këtyre marrëveshjeve, Andoni ka thënë se qasja nuk do të jetë e njëjta si ajo e para 4 vjetësh.
“Do të ketë lëvizje shumë të shpejta sepse tash kërkohen rezultate të shpejta, marrëveshjet janë pranu, i kemi dy marrëveshjet dhe do të kërkohet një dinamikë shumë e madhe por edhe një afat kohor se kur e çka të zbatohet”, është shprehur Arifi.
“Nuk besoj që Kosova do të jetë jashtë fokusit por nuk mendoj që do të ketë fokus të njëjtë me atë që ka pasur më përpara”, ka thënë Andoni.
Menjëherë pas shpalljes së fitores nga Trump, media kredibile ndërkombëtare raportuan se Richard Grenell pritet të jetë këshilltar për siguri kombëtare. Grenell është një nga njohësit më të mirë të rajonit dhe ka shërbyer si emisar për dialogun Kosovë-Serbi, në mandatin e parë presidencial të Trumpit.