Numër i madh kamionësh po presin në pikën kufitare të Hanit të Elezit për të hyrë dhe për të dalë nga Kosova.
Disa shoferë të kamionëve kanë telefonuar KOHËN të martën dhe janë ankuar se janë duke pritur deri në 7 orë në këtë pikë kufitare, duke shtuar se “krejt kjo po ndodhë për shkak të neglizhencës së doganierëve nga ana e kufirit në Kosovë”.
Shoferët e kamionëve të cilët kanë kontaktuar redaksinë kanë treguar se janë duke pritur mbi shtatë orë.
KOHA është duke pritur përgjigje nga Dogana e Kosovës për të kuptuar arsyen e pritjeve.
Deri në mars të këtij viti, të dy korsitë të cilat përdoren për kalimin e transportuesve të mallrave në këtë pikë doganore kanë qenë në pronësi private.
Zhbllokimi i njërës korsi është bërë në mars të këtij viti nga MI-ja me një vendim të Qeverisë për shpronësim të pronave dhe kthimin e tyre nga AKP-ja në pronësi të shtetit. Por, me atë vendim nuk është arritur të shpronësohet edhe prona në të cilën është korsia tjetër, meqë ato parcela, kompania private që menaxhon me terminalin i kishte privatizuar kohë më parë nga AKP-ja dhe për tri nga to ka një vendim gjykate, që i jep të drejtë operatorit privat që ta bllokojë pronën e AKP-së.
Deri në zhbllokim të njërës korsi, kompania ua kishte imponuar transportuesve zhdoganimin e mallit në këtë terminal, por, edhe nëse nuk bëhej zhdoganimi aty, transportuesit ishin të detyruar t’ia paguajnë kompanisë 40 euro për të kaluar nga ajo zonë.
{gallery}