Mënyra se si partitë e mëdha politike e kanë udhëhequr Kosovën gjatë qeverisjeve të mëhershme të tyre do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit të 2025-s, kanë vlerësuar analistë dhe njohës të zhvillimeve politike.
Analisti Visar Ymeri thotë se fakti që të gjitha partitë janë provuar në qeverisje do të ndikojë që qeveria e pas 9 shkurtit të formohet me koalicione.
“Mendoj që është evidente për mua, gati se me siguri absolute, që nuk do të ketë qeveri njëpartiake nga këto zgjedhje. Po shihet edhe nga fushata, nga mobilizimi i të gjitha partive politike. Nuk ka mundësi që asnjë prej partive politike të arrijë numrin e mjaftueshëm të deputetëve që të bëjë qeverinë vetë. Do të ketë qeveri koalicioni. Tash kush me kë, varet prej numrave dhe si dalin partitë. Mendoj që është dëshmuar që qeveria njëpartiake në Republikën e Kosovës nuk është e shëndetshme”, tha ai, teksa partinë që është aktualisht në pushtet e akuzoi për keqqeverisje.
Sociologu e analisti politik, Artan Muhaxheri, thotë se përvoja e partive me qeverisje do të kontribuojë që gjykimi i qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme të jetë më real.
“Do të ndodhë një fenomen i çuditshëm. Njëkohësisht partitë do të jenë edhe më të barabartat, edhe më të pabarabartat në garë. E para, shkaku i gjurmëve të secilës prej tyre nëpër trajektoren e qeverisjeve të deritashme. E dyta, për arsye të dallimit të jashtëzakonshëm nga zgjedhjet e kaluara”, thekson ai.
Bekim Baliqi, profesor i shkencave politike, pret të panjohura e lëvizje të elektoratit.
“Besoj që do të jetë një garë e hapur dhe me shumë të panjohura dhe lëvizje të elektoratit. Sigurisht që kjo do të përcillet edhe nga një fushatë zgjedhore e ashpër dhe me akuza e kundërakuza. Ajo çka do të jetë me rëndësi për votuesit, do të jenë programet elektorale që do të shpalosen dhe besueshmëria e tyre”, thekson Baliqi.
E juristi dhe profesor universitar, Arsim Bajrami, tek foli veç për obligimet e qeverisë së ardhshme, theksoi se prioriteti duhet të jetë përmbyllja e dialogut të Brukselit mes Kosovës e Serbisë.
“Partitë duhet ta kuptojnë që prioritet i bashkësisë ndërkombëtare do të jetë pikërisht dialogu Kosovë-Serbi. Kujtojeni pak edhe Qeverinë para katër vjetëve, kur ka ardhur e pati vendosur si prioritet numër 13. Por ne e kemi parë që këta katër vjet Qeveria e ka rikthyer në prioritet numër një, sepse kjo ka qenë agjendë ndërkombëtare.... Cilado qeveri e ardhshme përsëri do ta ketë si prioritet numër një përmbylljen e dialogut, sepse bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që ky dialog të përfundojë dhe praktikisht të gjendet një zgjidhje e normalizimit”, thotë ai.
Bajrami mendon se në këtë proces janë bërë gabime me pasoja për Kosovën. Mes tyre numëroi ndërrimin e qëllimit të dialogut, tek tha se më nuk negociohet për marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme, por për një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh, të cilën e kualifikoi si zgjidhje të përkohshme. Ai theksoi se për të pasur avantazh në dialog, Kosova duhet t’i zbatojë njëanshëm Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.
“Kosova i ka pranuar këto dy akte. Këto akte janë tani gati ligje ndërkombëtare, janë pjesë e agjendës së integrimit evropian të Kosovës dhe Serbisë, janë detyrime që duhet të kryhen. Mendoj që Kosova duhet njëanshëm t’i zbatojë ato. S'do të kishim sanksione. Do të ishim anëtarë të Këshillit të Evropës. Do të merrnim një status të përshpejtuar në krijimin e partneritetit për paqe me NATO-n, dhe statusi jonë i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të përshpejtohej”, vlerëson ai.