Punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë do të nisin shumë shpejt pasi në vikend janë vendosur edhe rrethojat që ndalojnë kalimin në këtë pjesë. Ky projekt i cili në tender parashihet të ketë vlerën prej mbi 18 milionë eurosh, po konsiderohet si shumë e lartë nga opozita në kryeqytet e më shumë probleme siç është moszgjidhja e kontesteve pronësore.
Për fillimin e implementimit të projektit që në total kap vlerën prej 18 milionë e 400 mijë eurosh u vendosën rrethojat në vikend.
Punimet për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, të cilat parashihen të zgjasin një vit do të përfshijnë hapësirën prej katedrales “Nëna Terezë” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.
Por, përfaqësues të opozitës në Prishtinë, ndërtimin e këtij sheshi e quajtën si të dyshimtë.
Gëzim Sveçla, asamblist i VV-së, ka thënë se pos që vlera e projektit është tejet e lartë, ka ende probleme të pazgjidhura me pronat.
“Si projekt ka disa probleme. Ka probleme pronësore. Mesa kemi ne informacion një pjesë e pronës është pjesë shoqërore, që i bie se nuk është pronë komunale, ndërsa ka edhe pronë të ‘Radio Prishtinës’, nëse nuk gabohem, ose institucioneve të tjera. Që do të thotë se po fillon një projekt pa u sqaruar pronësia, e që rrjedhimisht pastaj do të lindin pasoja juridike dhe kjo çështje do të shkojë nëpër gjykata”, ka deklaruar ai.
Si projekt me kosto të lartë e pati konsideruar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Mirëpo, qytetarët ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” thanë se e shohin si projekt të nevojshëm dhe me vend.
“Unë çka po mendoj është kryeqytet i Kosovës dhe çka të ndërtohet në këtë pjesë është e mirë. Kështu që ia vlen, ia vlen të investohet”, u shpreh Nezir Ademi.
“Është investim i mirë, sepse për qytetarët është më mirë që të kenë një shesh më të madh. Më mirë është, shumë më mirë”, ka deklaruar Vesel Murseli.
E vetë kryetari Përparim Rama, pati deklaruar se ideja e këtij projekti është që të lehtësojë jetën e qytetarëve, mirëpo edhe të ndikojë në zgjidhjen e kaosit në komunikacion.
“Ideja është që këto sheshe të jenë të qasshme, të sigurta për secilën moshë, prej fëmijëve deri tek te moshuarit. E po ashtu në aspektin e funksionit të ofrohen edhe mundësi për galeri, për artistë, për perfomanca, për aspekte komerciale, që e krijojnë një jetë të re, një Prishtinë të transformuar”, ishte shprehur ai.
Gjykata Komerciale në tetor të vitit të kaluar e pati aprovuar në tërësi padinë e “Grupit Koha” ndaj Komunës së Prishtinës, duke anuluar vendimin e kësaj të fundit, me të cilin ishin mbyllur për qarkullim të mjeteve motorike rrugët “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, si dhe rrugët/rrugicat të cilat kalojnë në parkun e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Bibliotekës Kombëtare.