Arbëri

Pritet shtrenjtimi i cigareve elektronike, purove dhe duhanit të papërpunuar

Qeveria ka miratuar vendosjen e akcizës në cigare elektronike e duhan të papërpunuar, e po kështu edhe rritjen e akcizës për purot. Shitësit e këtyre produkteve thonë se, pas formalizimit të vendimit, çmimi do të rritet dhe do të vërehen efekte edhe në import

Duhanpirësit pritet të paguajnë më shtrenjtë për konsumin e përditshëm të cigareve alternative, siç janë ato elektronike, purot, cigarillos dhe duhanin e papërpunuar.

Ani se ka 6 vjet që cigaret elektronike gjenden në treg, shteti nuk ka përfituar asnjë cent nga akciza e tyre. E sipas vendimit që e miratoi Qeveria një ditë më parë, akciza për një mililitër të lëngut për këto cigare do të jetë 0.035 cent.

Pas miratimit të vendimit, një cigare me sasi të lëngut prej 60 mililitrash që aktualisht kushton 16-18 euro, pritet të shtrenjtohet për rreth 2 euro e 10 centë.

Për puro dhe cigarillos është paguar edhe më herët akcizë. Por, ajo pritet që të rritet në 65 euro për kilogram neto. Një puro që ka kushtuar rreth 10 euro, pritet të shtrenjtohet për së paku 2 euro.

Shitësit e këtyre produkteve konfirmojnë se vendimi do të ndikojë në rritje të çmimit.

Edi Musliji, menaxher në kompaninë “FM Trading LlC” që merret me shitjen e purove dhe cigarillove, thonë se nuk u konsultuan fare për vendimin që u mor nga Qeveria.

“Me çmimet 65 euro nëse implementohet, do të ketë ndryshim pasi është një faktor multiplikator, pasi që nëse rritet aty do të ndryshojë edhe në import e kështu me radhë, që do ta afektojë edhe çmimin final që shitet në treg”, ka theksuar ai.

Musliji thotë se do të duhej të dallohej akciza për puro të cilat punohen me dorë dhe për cigarillos të cilat prodhohen në mënyrë industriale.

Sipas tij, në të kaluarën akciza për puro dhe cigarillos ka qenë e përcaktuar për njësi, ndërsa tani ajo është bërë me kilogram neto.

Kritika për vendimin shprehën edhe shitësit e cigareve elektronike, por shfaqën shpresën që me të të vihet rregull në sektor.

“Shpresojmë që çmimet dhe taksat për cigaret të rriten në të njëjtën mënyrë. Dhe mendojmë se produktet e cigareve elektronike të pakontrolluara të shitura ilegalisht pa fatura dhe pa doganë duhet të vihen nën kontroll”, thonë në kompaninë “Dr Vape shop”.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, deri në tetor të këtij viti janë importuar cigare elektronike në sasi prej 2 mijë e 440 kilogramësh apo llogaritur në mililitra, 2 milionë e 440 mijë.

Kjo përbën rritje të importit të cigareve elektronike. Por, në Doganë thonë se në treg sasia e tyre është më e madhe se kaq, dhe kanë ngritur dyshimet për kontrabandim të tyre.

Siç mëson KOHA, në treg janë rreth 70 kompani që merren me shpërndarjen e cigareve elektronike.