Arbëri

Pritet përfundimi i fshatit social në Gjilan për strehim të 20 personave të moshuar

Qendra për Punë Sociale në Gjilan ka evidentuar 20 persona të moshuar, të cilët kërkojnë të strehohen në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë ku ofrohet kujdesi ditor.

Por, sipas punëtorëve socialë, ata nuk mund të vendosen në Prishtinë meqë nuk i plotësojnë kriteret, raporton KOHA.

Si zgjidhje për të moshuarit pa përkujdesje është përmendur vendosja e tyre në fshatin social të Gjilanit. Mirëpo, ata duhet të presin ende meqë punimet aty nuk kanë përfunduar.

Në anën tjetër, edhe Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe të fëmijëve synon që në këtë fshat në Gjilan të vendosë disa persona.

Pavarësisht se punimet ende nuk kanë përfunduar, fshati social megjithatë ka marrë formë, me gati 90 % e punimeve janë përfunduar, e disa prej objekteve kanë nisur të mobilohen.

Fshati është ngritur në sipërfaqe mbi 3 hektarë tokë dhe ka objekte për strehim, shkolla, çerdhe, shtëpi të shëndetit e të kulturës e të tjera.

10 objektet e ndërtuara janë të destinuara për personat në nevojë, të cilët do të jetojnë në këtë hapësirë.

Donatori, që ndihmoi në ndërtimin e këtij fshati, Samir Salihu, tha se krejt çfarë i mbetet komunës është ndërtimi i infrastrukturës dhe vendosjes së ndriçimit në këtë fshat.

Ndryshe në ndërtimin e këtij fshati ndihmuan edhe disa donatorë të huaj me mbi 2 milionë euro.