Shfrytëzuesit e parkingjeve të hapura, të menaxhuara nga ndërmarrja “Prishtina Parking” tash e tutje do të njoftohen me SMS në telefon kur pagesës po i afrohet fundi, ka njoftuar kjo ndërmarrje.
Siç bëhet e ditur në njoftim, shfrytëzuesit e parkingjeve do të njoftohen me SMS 10 minuta para përfundimit të skadimit të pagesës së parë.
Sipas “Prishtina Parkingut”, qëllimi i shërbimit është të evitohen gjobat.

“Ky njoftim do të jetë në minutën e 50-të të parkimit tuaj, duke iu dhënë mundësinë të vazhdoni me pagesën e re, ose të lironi hapësirën. Ky shërbim shtesë ka për qëllim që maksimalisht të evitojë gjobat ndaj klientëve tanë që për arsye të moskujtimit për të realizuar pagesën për orën e dytë e tutje mund të gjobiten”, thuhet në njoftim.
“N.P.L. “Prishtina Parking” SH.A. ka për synim që të avancojë çdo ditë shërbimin ndaj qytetarëve. Këto ndryshime dhe përmirësime në shërbim gjithmonë vijnë si rezultat i kërkesave të qytetarëve. Ka pasur raste të shpeshta ku pas skadimit disa minutësh të pagesës, konform rregulloreve përkatëse, kontrollorët tanë kanë shqiptuar gjoba për mungesë të pagesës në orën e dytë. Ne e kemi kuptuar drejtë ankesën e qytetarëve që është e vështirë që gjatë aktiviteteve të tyre, të kujtojnë kohën për ridërgim të SMS pas skadimit të kohës së paguar. Sikur edhe e kemi premtuar në diskutime me qytetarë dhe diskutime publike e media, tani më po e implementojmë SMS rikujtues që të lehtësojmë procesin e parkimit dhe pagesës për qytetarët”, përfundon njoftimi.