Arbëri

Prishtina ndan para për një qendër pushimi në Istog

Kohën me diell e shfrytëzojnë çdo herë për të dalë me shoqërinë, te “Fontana” në Prishtinë.

Me përkeqësimin e motit, ata shpeshherë nuk kanë ku të qëndrojnë, pasi edhe pensioni nuk iu mjafton për të qëndruar në ndonjë kafene.

Një qendër e re për të moshuar e hapur në “Ulpianë” do të jetë zgjidhje e mirë për ta.

Çaj do të kenë mundësinë të pinë gjatë kohës që ata luajnë me shah dhe ndërrojnë llafe me njëri tjetrin.

Këtë qendër e ka mirëpritur edhe kryetari i shoqatës së pensionistëve në Komunën e Prishtinës, Ramiz Mustafa, i cili rrëfen se ka shumë pensionist që këto qendra i konsiderojnë si shtëpi të parë të tyre.

Drejtori i Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj thotë se kjo është qendra e katër e të moshuarve në Prishtinë, e cila për shkak të pandemisë ka vonuar të hapet me kohë.

Sipas tij, përveç çajit, shumë shpejt do të kenë edhe kafe e më vonë parashikohet të shpërndahen edhe shujta të lehta ushqimore.

“Këto janë ndërmarrë në kuadër të platformës “Prishtina e secilit”, e cila është platformë e Komunës së Prishtinës për çështjet e mirëqenies sociale dhe është e vetmja në Kosovë. Jemi të lumtur që në kuadër të saj kemi arritur të ndihmojmë rrugët e margjinalizuara dhe shpeshherë të shtypura. Këta rast konkretisht për të moshuarit po ashtu do të subvencionojmë edhe aktivitete të ndryshme dhe do të arrihet të organizojmë edhe ekskursione të ndryshme për ta”, ka thënë Kukaj.

Ende pa u kompletuar të gjitha qendrat e të moshuarve në Prishtinë, komuna ka paraparë të investojë rreth 150 mijë euro për një pushimore për të moshuarit edhe në Komunën e Istogut.

“Një pushimore do ta rinovojmë vitin tjetër në Istog, përkatësisht në banjën e Istogut, një hapësirë që është pronë e shoqatës së pensionistëve. Të njëjtin do ta shfrytëzojnë edhe banorët e Prishtinës dhe ka qenë kërkesë e vazhdueshme e pensionistëve dhe më në fund kemi arritur ta kemi edhe projektin dhe ta buxhetojmë dhe po shpresojmë që në fund të vitit të ardhshëm të jetë e gatshme. Shërbimet do të ofrohen në çmimet të përballueshme që në të ardhmen të mund të i subvencionojmë edhe ne si komunë”, ka shtuar Kukaj.

Për vitin e ardhshëm është buxhetuar edhe qendra e pestë e Prishtinës, e cila do të jetë në ambient të hapur dhe është paraparë të hapet në “Toukbahçe” ose në “Parkun e Qytetit”.