Arbëri

Prishtina ndan 12 milionë euro për konsulta për Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit

Mbi 15 mijë euro për një ditë pune në tre vjet radhazi, Komuna e Prishtinës ka paraparë ta paguajë një kompani për konsulta për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit.

Në fund të muajit të kaluar, në emër të Kuvendit Komunal të Prishtinës është bërë njoftimi për kontratë, për këtë procedurë të prokurimit, vlera e paraparë e së cilës është 12 milionë euro, për një kohëzgjatje prej 36 muajsh.

Nga Zyra për media e Komunës të hënën nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë njoftim.

Ata nuk kanë treguar se pse është e nevojshme një kontratë e tillë për konsulta, kur Komuna e ka Drejtorinë e Urbanizmit, si dhe Drejtorinë e Planifikimit Strategjik, e cila, ndër të tjera, është përgjegjëse për planifikimin e zhvillimit hapësinor e urbanistik, si dhe hartimin e planeve zhvillimore e rregulluese urbane.

Nuk kanë treguar as pse njoftimi është bërë në emër të Kuvendit Komunal.

Kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina, ka thënë se është në pushim dhe se nuk ka informata lidhur me projektin.

Ka pranuar se ai nuk është diskutuar ndonjëherë në Kuvend, por nuk ka komentuar faktin që shpallja është bërë në emër të Kuvendit.

“Nuk e di tash, janë kompetencat e ekzekutivit dhe të kryetarit edhe s’mund të hyj aty, ai i ka kompetencat e rezervuara të vetat dhe s’kisha dashur të hyj aty”, tha Kupina.

Nga opozita kanë theksuar se ata si Kuvend nuk janë konsultuar e as s’e kanë shqyrtuar e diskutuar një projekt të tillë.

Edhe nga AAK-ja kanë thënë se projekti në fjalë nuk duhet të vazhdojë dhe se ai nuk është i paraparë as në buxhetin e vitit 2022. Sipas tyre, ekzekutivi duhet të ketë vlerësim dhe besim më të madh në punëtorët e Komunës.

“Mbeturinat po na e nxënë frymën, komunikacioni tmerr, rrugët si mos më keq etj., etj., etj. Komuna e Prishtinës ka të punësuar arkitektë urbanistë, inxhinierë të profileve të ndryshme, dhe nëse nuk mjaftojnë le të angazhojë edhe të tjerë, ama ideja me e bartë konsulencën krejt në kompani private nuk ja vlen”, thuhet nga Grupi i Këshilltarëve të AAK-së.

Në njoftimin për kontratë që është publikuar, i vetmi përshkrim i punës që do të bëhet për 12 milionë euro është “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës sipas përshkrimit teknik”.