Sistemi jofunksional i rrjetit të kanalizimeve në Prishtinë po shkakton telashe të mëdha te qytetarët.
Për shkak të bllokimit, shpeshherë qytetarët kanë probleme me erën e rëndë që vjen nga shpërthimi i tyre.
Problemet paraqiten çdo herë edhe kur ka reshje, pasi gypat nuk kanë kapacitet për sasinë e lartë të reshjeve.
Adem Luta, banor i Lagjes së Spitalit, thotë se rruga ku banon ai po prishet dita-ditës, për shkak se një pusetë është bllokuar qe një muaj.
Me reshjet e fundit, ai thotë se kjo gjendje veçse është përkeqësuar dhe po rrezikon shëndetin e tyre.
“Në kohë pandemie me dalë këtu uji i kanalizimit, është jashtë çdo norme njerëzore. Si mund të jetë një kompani të jetë aq e qetë, kur edhe po dëmtohen rrugët. Pastaj ne paguajmë tatim edhe për mirëmbajtjen e rrugëve. Asfaltin që ja kanë qitë një petë lakrori prapë është dëmtuar. Ne jemi në hallë me këtë rrugë. Plus disa puseta na kanë bllokuar, nuk ka ku të hyjë uji, jemi në hall. Në dy anët kemi çerdhe dhe këtu del kanalizimi del deri në fund të rrugës atje poshtë, është jashtë normalitetit”, thotë Adem Luta, banor.
Sipas tij, përkundër kërkesave të banorëve nuk ka pasur ndonjë intervenim institucional.
Edhe qytetarë të tjerë ankohen se me vite kanë probleme me kanalizime, dhe gjatë vërshimeve uji hyn edhe brenda ndërtesave.
“Verës është e pamundur të qëndrohet këtu. Pandemia është zero, kundër çka mund të na kapë nga kjo. Qe 10 vjet është kështu. Ka pasur probleme edhe të vërshimeve, se i gjithë uji nga ‘Rruga B’ dhe nga rruga ‘Muharrem Fejza’ vjen këtej dhe hyn nëpër bodrum”, u shpreh Sabit Shabani, banor.
E Shemsi Vitia, banor i lagjes, thotë se ky problem është i vjetër 10 vjet.
“Era këtu kundërmon, qe 10 vjet që janë ndërtuar këto ndërtesa kemi këtë problem. Këtu të gjithë kanë probleme gjatë vërshimeve. Kemi qenë nëpër komuna. Në kohë të fushatës interesohen, si të kryhen zgjedhjet më nuk i intereson askujt. Kemi bërë ankesa, kërkesa por asgjë, askush nuk ndërmerr asgjë”, tha ai.
Nexhmi Gashi thotë se bllokimi i pusetave po vjen për shkak se janë ndërtuar shumë banesa.
“Tash janë bërë shumë banesa, po bllokohet kanalizimi dhe po del jashtë. Uji ka hyrë nëpër këto lokale, uji i kanalizimit, era. Po çfarë të bëjmë tash, kështu është Kosova”, pohoi Gashi.
Se gjendja është alarmante e thotë edhe kryeshefi ekzekutiv i K.R.U Prishtina, Sokol Xhafa.
“Fati i keq është se sistemi i kanalizimeve është sistemi i kombinuar, janë të ujërave fekale dhe të ujërave atmosferike. Dhe kur ndërtohen ndaras dhe ndërtohen shtëpi shumë qytetarë të pandërgjegjshëm lidhin shtëpinë e tyre në sisteme atmosferike dhe kjo e vështirëson shumë punën. Për shkak të kësaj i shohim proçkat shumë të ndotura. Situata është mjaft e rëndë”, deklaroi Xhafa.
Xhafa thotë se problematikë tjetër në kryeqytet është edhe shumëfishimi i numrit të banorëve.
“Situata është pranë alarmantes, mos të them edhe tani është alarmante. Dimensionet kanë ndodhur në vitet ‘80 për zonat qendrore të Prishtinës ose zonat e banuara më herët, sot një mori e tyre janë kthyer në objekte banesore, pra është shumëfishuar numri i banorëve aty dhe kjo nënkupton që edhe shkarkimi i ujërave të ndotura janë shumëfishuar dhe kapacitetet nuk i përballojnë dot këto shkarkime”, shtoi Xhafa.
Në anën tjetër, Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Prishtinë thotë se gjatë vërshimeve të fundit Prishtina ka qenë shumë më mirë se vendet e tjera.
Megjithatë, pranon se ka probleme të mëdha për shkak të shtimit të ndërtimeve të reja.
“Këtë vit kemi probleme edhe më të mëdha për shkak se ka pasur shumë ndërtime dhe shumë prerje të rrugëve nga operatorë të tjerë, jashtë Komunës dhe në disa vende e shohim se ka zhavorr. Kemi pasur bukur shumë ankesa nga gypat e ujit dhe nga ujërat e zeza”, u shpreh Braha.
Por, njohësi i çështjeve të sigurisë, Tahir Ahmeti, thotë se alarmi për reshje është dhënë me kohë andaj Komuna është dashur të marrë masa që të parandalohen dëmet.
“Në Prishtinë vërshimet shkaktohen për shkak të infrastrukturës nëntokësore. Që do të thotë se sistemi i ujit dhe kanalizimit nuk mund të pranojë gjithë kapacitetin e banorëve që janë rritur, andaj bllokohen kanalizimet dhe shkaktohen vërshime të ndryshme”, tha Ahmeti.
Ndryshe, K.R.U. Prishtina ka paralajmëruar se shumë shpejt pritet nënshkrimi i një kontrate me një kompani gjermane për zgjidhjen e problemeve me kanalizimet në Prishtinë.