Me kthim prapa përballet çdo vozitës në kryeqytet që vjen prej pjesës së epërme të rrugës “Ilaz Kodra’’ për të kaluar te rruga “28 nëntori’’ apo në lagjen ‘’Lakrishte’’.
Ka më shumë se tri javë që në lagjen ‘’Dardania’’ rruga kryesore po shfrytëzohet vetëm si rrugë njëkahëshe që u shërben të gjithë qytetarëve për kyçje në qendër.
“Një vend i madh me një rrugë të tillë është gabim. Në njërën anë është ngarkuar e në tjetrën është liruar”, ka thënë një qytetar për emisionin 038 në KTV.
Megjithatë, të tjerë qytetarë thonë se kjo i ka ndihmuar kësaj pjese të qytetit dhe se është e mundshme që kjo zgjidhje të bëhet edhe nëpër pjesë të tjera.
Për shkak se Prishtina është qytet me mungesë të rrugëve të gjera kjo e ka shtyrë Komunën që riorganizimin në komunikacion ta bëjë përmes rrugëve njëkahëshe.
Së fundmi edhe një pjesë e punimeve në rrugën “Agim Ramadani’’ ka përfunduar, ku është zgjeruar hapësira për këmbësorë dhe është ngushtuar ajo për makina. Rruga do të shërbejë për futje në qytet derisa dalja do të bëhet nga rruga “Luan Haradinaj”.
‘’Kemi filluar me ndërtimin e një segmenti të rrugës ‘Agim Ramadani’, këto ditë është shpallë procedura për ndërtimin e tunelit dhe do të iniciohet shpejtë. Pjesa lartë e rrugës do të bëhet me kalldrëm dhe pjesa tjetër do të bëhet me rrugë njëkahore, do të kemi katër korsi në të cilën do të qarkullojnë automjetet në një drejtim duke i tanguar rrugët Agim Ramadani, UCK, Luan Haradinaj, Ukshin Hoti pastaj në drejtim të Bill Klintonit...’’, ka thënë drejtori i Investimeve kapitale, Gëzim Mehmeti.
Por, këtë plan vështirë të realizueshëm e sheh eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti sipas të cilit, Prishtina nuk është kryeqytet i përmasave të qyteteve të tjera në Ballkan.
Ahmeti thotë se pa krijimin e unazës së brendshme, shkarkimi i komunikacionit dhe çdo ndërhyrje tjetër vetëm sa e ekspozon kryeqytetin me ngarkesa në trafik.
Por rrugët njëkahëshe janë mundësia e vetme në këtë kohë thotë drejtori i infrastrukturës.
E rruga ‘’Xhorxh Bush’’ do të mbyllet për automjete, duke u kthyer në bulevard për këmbësorë pa lejuar kalimin e automjeteve të tjera përpos urgjencës dhe trafikut urban.