Arbëri

Prishtina jo e vendosur për minisheshin, hapet rruga “Rexhep Luci”

Në shtator të vitit të kaluar në rrugën “Rexhep Luci” u ndalua qarkullimi i veturave.

Me gjithë protestat e peticionet e banorëve, Komuna insistoi që rruga “Rexhep Luci” të kthehej në një minishesh.

Që nga ajo kohë, nga tuneli e deri te sheshi “Nënë Tereza” pati vetëm lëvizje të qytetarëve, por asnjë iniciativë për nisjen e punimeve që do ta shndërronin këtë rrugë në shesh.

Ditë më parë Drejtoria e Shërbimeve Publike ka larguar pengesat me arsyetimin se është liruar qarkullimi i veturave për mirëmbajtje dhe furnizim.

Shenja e komunikacionit ku tregon kohën që mund të operojnë mirëmbajtja dhe furnizimi janë vendosur. 

Por, ky vend tani po shfrytëzohet edhe për parkimin e veturave.

Kjo nuk po u pëlqen banorëve, të cilët thonë se ata nuk po informohen për asgjë që ndodh në lagjen e tyre.

Shefi i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Svleça, thotë se ky veprim është i pamenduar mirë, ashtu siç ndodh me shumë projekte të tjera.

“Kjo është në vazhdën e vendimeve ad hock që ka marrë qeverisja e Prishtinës, pa analizë të mirëfilltë, pa konsultim të banorëve të lagjes. Siç e dini, për një kohë të gjatë kjo rrugë është e mbyllur, pastaj kishte një vendim të gjykatës, një masë pezulluese ndaj tentativës së Komunës së Prishtinës për shndërrimin në shesh të kësaj hapësire. Ndërsa këtyre ditëve e pamë që rruga u hap. Pra, ashtu siç e bën mbylljen, e bën edhe hapjen e saj. Është për keqardhje se qytetarët kanë mbetur në hamendësim se nuk e dinin se çfarë do të ndodhte me këtë rrugë. Kjo mbyllje qëndroi për një kohë të gjatë dhe nuk u krye asnjë punë”, tha Sveçla.

Svelça shton se ata përkrahin projektet, të cilat më parë kanë një analizë të mirëfilltë. 

“Është punë që duhet menduar më mirë dhe duhet përshtatur edhe rrethanave të tjera. Prandaj mendoj se para çdo veprimi të tillë duhet konsultim me ekspertë të komunikacionit, bizneset, qytetarët e pastaj me u ndërmarrë këto veprime. Nuk jemi kundër mbylljes së rrugëve kur ato bëhen me një analizë paraprake”, shtoi ai.

I kontaktuar nga KOHA, nënkryetari Alban Zogaj ka thënë se kjo rrugë është hapur vetëm për furnitorët duke mos pranuar të jap deklaratë më të zgjeruar në lidhje me këtë gjë.