Me veturë po ngjitet lart deri tek kroi i fshatit, të cilin e ka rreth 2 kilometra larg shtëpisë.
Është hera e tretë që sot po mbush bidonët me ujë, për t’i dërguar në shtëpi.
Asllan Emiri nga fshati Shashkofc i Prishtinës thotë se ka mbi dy muaj që nuk kanë fare ujë në shtëpi, pasi rezervuari i ujësjellësit rajonal “Prishtina” është dëmtuar.
Sipas tij, ata po përballen me vështirësi të mëdha, pasi kanë edhe fëmijë të vegjël.
Përderisa shumë banorë të fshatit hapin edhe puseta, Emiri thotë se ai vet nuk i ka mundësitë.
Fshati i cili numëron rreth 100 shtëpi e 300 familje, ka një kohë të gjatë që kanë problem me furnizimin me ujë të pijshëm.
Sipas kryetarit të fshatit, Naim Bytyqi, kjo nuk është hera e parë që ata përballen me probleme të tilla.
Disa vende të fshatit nuk kanë burim uji as për hapjen e pusetës.
Jakup Bytyqi thotë se ka tentuar disa herë të hapë pusetë në oborrin e tij, por nuk ka pas sukses.
Vështirësi në mungesë të ujit kanë edhe familja e Sherif Bytyqit.
Por nga ujësjellësi thonë se ka vetëm reduktime e jo ndalje totale të ujit.
Sipas zëdhënëses së ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku ata janë në procedurën e prokurimit për ndërtimin e një të riu.
Në mënyrë që fshati të mos ketë më mungesë të ujit, Mjeku thotë se do të mundohen t’i dërgojnë ujë përmes autobotëve të ndërmarrjes.