Arbëri

Prindërit mobilizohen për t’i kryer obligimet e Komunës

Përgjegjësitë e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë-Kosovë për objektin e ri në shkollën “Mihail Grameno” kanë filluar t’i kryejnë prindërit. Këshilli i Prindërve të shkollës është mobilizuar për t’i pajisur klasat me perde, pasi DKA-ja nuk iu përgjigj kërkesës së tyre për kompletimin e objektit të shkollës me materiale e për përfundimin e punëve të mbetura në gjysmë.

Për katërmbëdhjetë klasat e aneksit të ri të shkollës “Mihail Grameno” në Fushë-Kosovë prindërit janë mobilizuar për t’i pajisur me perde.

Për kompletimin e shkollës me materiale, Këshilli i Prindërve të shkollës iu drejtua me kërkesë Drejtorisë së Arsimit në janar të këtij viti.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës, Fatos Çeta, tha në një komunikim me KOHËN përmes telefonit se vendimin për mobilizim e morën pasi nuk pranuan përgjigje nga DKA-ja në përmbushjen e kërkesës.

Nxënësit kanë filluar mësimin në objektin e ri në shtator të vitit të kaluar.

Sipas zëvendësdrejtorit të shkollës, Sadri Emini, nuk është paraparë buxhet nga komuna për perde, ndonëse kanë qenë pjesë e projektit të finalizimit të shkollës.  

“Meqenëse ky objekt ka filluar nga shtatori, janë në planifikim edhe perdet edhe mbrojtëset e mureve, mirëpo për shkak të buxhetit që nuk janë paraparë ka ardhur deri te kërkesa e prindërve, ku kryetari i këshillit të prindërve dhe anëtarët e tjerë kanë marrë vendim për rregullimin e prindërve në klasë”, tha Emini. 

Prindërit kanë dërguar kërkesë në DKA edhe për instalimin e energjisë elektrike në bodrumin e shkollës, pajisjen e objektit me kamera të sigurisë, shtimin e stafit të mirëmbajtjes e rregullimin e oborrit për vendosjen e rrethojave e ndërtimin e sallës së sporteve.


“Oborri i shkollës ‘Mihail Grameno’, aneksi III, është i papërfunduar, ku si pasojë e kësaj nuk mund të hapet dera kryesore e shkollës për hyrjen e daljen e nxënësve dhe ata nuk mund ta shfrytëzojnë ambientin e jashtëm për aktivitete fizike apo lojëra”, thuhet në dokument. 

Në lidhje me këto KOHA ka tentuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Arsimit, Fatlum Berisha, por ai nuk ka qenë i qasshëm gjatë ditës së hënë.