Kundër grevës së paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit janë shprehur në Këshillin e Prindërve. E, njohës të arsimit thonë se dialogu social është i rëndësishëm për të evituar grevat, por vlerësojnë se kontratat kolektive nuk duhet të nënshkruhen në periudhë fushatash elektorale
Këshilli i Prindërve ka shprehur qëndrimin kundër mbajtjes së grevave në institucionet edukativo-arsimore, pas paralajmërimeve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.
Nënkryetari i Këshillit, Visar Islami, u ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës që të dialogojnë për të evituar bllokimin e procesit mësimor.
“Ne gjithmonë jemi ata që duam që fëmija me qenë në mësim. E drejtë e tyre është që ata të kërkojnë benefite të tyre, ne nuk përzihemi në këtë punë të SBASHK-ut. Për ne është shumë me rëndësi që fëmija të vijojë mësimin, megjithatë, ato dy institucione të arsimit dhe SBASHK-u të gjejnë gjuhë të përbashkët, të bëjnë zgjidhje dhe të mos shkojnë në greva”, ka thënë Islami të martën.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka thirrur protestë për javën e ardhshme, nën arsyetimin për mungesë dialogut me Ministrinë e Arsimit për nënshkrimin e kontratës kolektive. Sindikata ka kërkuar edhe rritje të vlerës së koeficientit të pagës për 30 për qind, si dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për skemat pensionale.
Në rast se nuk përmbushen kërkesat, Sindikata ka paralajmëruar greva.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se një qeveri që është në përfundim të mandatit nuk duhet të nënshkruajë kontratë kolektive. Por ka vlerësuar se dialogu social është i rëndësishëm për të evituar grevat.
“Mendoj që dialogu social është diçka e domosdoshme kur tani në Kosovë kemi një qeverisje të majtë, ta them ashtu, dhe duhet të ketë më shumë ndjeshmëri për kërkesat për dialog, ndërsa Sindikata ndoshta më pak veprime sidomos në kohën e fushatave, një trashëgim jo i mirë nga e kaluara, sepse pastaj ato po kanë efete negative kur po kryhen fushatat dhe kur po fillon zbatimi i tyre”, ka thënë ai.
Sindikata ka nënshkruar tri kontrata kolektive me pushtetin qendror. Një në vitin 2014, pastaj më 2017 dhe të tretën më 2021.
Para dy vjetësh Ministria ka shkëputur kontratën kolektive me Sindikatën, me arsyetimin se ka pasur mungesë legjitimiteti, meqë ministri i Qeverisë ishte në detyrë.
Këto kontrata iu mundësonin mësimdhënësve mbulimin e shpenzimeve për udhëtim, kompensim të shujtës dhe shpërblimin jubilar.
Implikimet financiare të këtyre kontratave kanë rënduar kuletën e komunave, pasi asnjëherë në përpilimin e buxhetit vjetor nuk është planifikuar kostoja e detyrimeve që dalin nga kontrata kolektive.
Për mosarritjen e përmbushjes së këtyre detyrimeve, mësimdhënësit kanë paditur komunat, të cilat raste i kanë fituar në gjykatë.
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, niveli lokal është dëmtuar mbi 120 milionë euro nga paditë e mësimdhënësve.
Grevën e fundit mësimdhënësit e kanë mbajtur në fillim të vitit shkollor 2022/23. Greva zgjati një muaj.