Përveç sektorëve të tjerë, masat e reja anti-COVID pritet të vlejnë edhe për institucionet shkollore. Derisa Këshilli i Prindërve po i kërkon Qeverisë që të shqyrtojë mundësinë që shkollat të vazhdojnë punën, në SBASHK vlerësojnë se prindërit duhet ta respektojnë vendimin e institucioneve. Nga java e ardhshme pritet mbyllje e shumë sektorëve për 12 ditë
Paralajmërimi se në kuadër të masave të reja për dy javë pritet të ndodhë edhe mbyllja e shkollave, nuk u ka pëlqyer Këshillit të Prindërve të Kosovës.
Këshilli u ka bërë thirrje institucioneve që shkollat të jenë të fundit që mbyllen dhe të gjendet një mundësi që ato të vazhdojnë punën.
Kryetari i saj, Ymret Reshiti, ka thënë se ato duhet të vazhdojnë punën sikur deri tash, meqë, siç është shprehur, situata me COVID-19 në shkolla nuk është alarmante.
“Kërkesa ime për Qeverinë është që nëse ka mundësi shkollat të mos mbyllen, kurse veprimtaritë e tjera po tregojnë që janë indikatorë që rrisin numrin e të infektuarve, ndërsa shkollat tregojnë se aty më së paku ka numër të të infektuarve. Nëse janë mundësitë le të vazhdojnë shkollat për aq sa ka nevojë”, ka thënë ai.
Nga java e ardhshme pritet mbyllje e shumë sektorëve për 12 ditë si masë për parandalimin e COVID-19 në vend.
Ndërkohë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, është ankuar se nëse mbyllen shkollat dhe kalohet në mësim online më së vështiri do ta kenë mësimdhënësit. Por, ka shtuar se do ta respektojnë çfarëdo vendimi të institucioneve.
“As prindërit e as askush tjetër në Kosovë nuk ka të drejtë që të bie në kundërshtim me vendimet e institucioneve. Për mësimdhënësit do të jetë më së vështiri, ngase mësimi online kërkon angazhim shtesë, ku shtëpinë do ta kthejnë në shkollë duke u lidhur me nxënësit dhe duke qenë në presion. Për mësimdhënësit do të jenë tepër të ngarkuar dhe sfiduese”, është shprehur Jasharaj.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë nëse do të ketë mbyllje edhe të çerdheve e universiteteve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Të gjitha institucionet shkollore të nivelit parauniversitar javën e ardhshme do ta kenë pushim pranveror. Ky vendim u mor javën e kaluar në koordinim me Ministrinë e Arsimit, drejtoritë komunale, Këshillin e Prindërve e SBASHK-un.
Shkollat që nga shtatori janë duke punuar sipas 3 skenarëve të përcaktuar nga Ministria e Arsimit.