Rastet e fundit të veprimeve huligane të nxënësve në rrugët e kryeqytetit kanë ngritur shqetësime për rolin e institucioneve arsimore në formimin e tyre. Ndërsa disa fajësojnë sistemin arsimor për mungesën e disiplinës dhe edukimit të mirëfilltë, të tjerë theksojnë se prindërit kanë detyrën kryesore për të ndjekur dhe drejtuar sjelljen e fëmijëve jashtë orarit të mësimit.
Veprime huligane të nxënësve janë kapur nga kamerat e veturave në lagjen “Bregu i Diellit”.
Një grup i nxënësve shihen duke i gjuajtur me gurë veturat në rrugën “Enver Maloku”, e disa duke qëndruar në mes të rrugës për t’i bllokuar automjetet.
Për ish-zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj, veprimet e tilla tregojnë për dështim të sistemit arsimor në vend.
Sipas tij, për veprimet e nxënësve ka përgjegjësi shkolla edhe jashtë rrethojave të institucionit arsimor.
“Në kohën e sotme të zhvillimit kaq të shpejtë të teknologjisë, prindi nuk mund të gjendet në edukimin e fëmijës, as në përcjelljen e trendëve sociale, shoqërim, abuzimi me substanca, shoqëria e keqe, ndikimi i mjeteve teknologjike, televizioni, emocionet e të tjera, prandaj në këtë kuptim duhet të vihet në pyetje shkolla. Tash askush tjetër në Kosovë nuk mundet me ndikuar në edukimin e mirëfilltë edhe këto bullizmi e dhuna që ndodhin janë probleme të mosfunksionimit të sistemit shkollor”, ka theksuar Rexhaj.
Por me këtë nuk pajtohen institucionet arsimore.
Sipas drejtoreshës së shkollës “Ismail Qemali” në kryeqytetet, Mimoza Krasniqi, prindërit janë përgjegjës për sjelljet e tilla të nxënësve.
“Përgjegjësia i bie prindërve që fëmijët e tyre të drejtohen drejt e në shtëpi se kur përfundon orari mësimor ata duhet të shkojnë në shtëpi dhe jo të mbetën rrugëve dhe të bëjnë dëme të cilat nuk i takojnë”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas saj, të gjitha rastet që raportohen në shkollë trajtohen nga menaxhmenti në bashkëpunim me mekanizmat e tjerë institucionalë.
“Rastet të cilat raportohen pa marrë parasysh a janë brenda shkollës a jashtë shkollës ne jemi në bashkëpunim me prindërit, me policinë ose me kalimtarët e rastit të cilët i shohin e na tregojnë video, ne mundohemi me çdo kusht me i trajtuar duke u koordinuar me psikologen e pedagogen e shkollës”, ka thënë Krasniqi.
Polica në kryeqytet ka thënë se rasti i të mërkurës nuk është raportuar në këtë institucion.
E sipas të dhënave që ka ofruar Policia, vitin e kaluar janë shënuar mbi 400 incidente në shkolla dhe përreth tyre dhe janë konfiskuar mbi 70 armë të zjarrit dhe të ftohta.