Arbëri

Prijës fetarë shqiptarë, bashkë në homazhe për Papa Françeskun

Osmani-Begaj

Udhëheqës të komuniteteve fetare u janë bashkuar presidentëve shqiptarë Bajram Begaj e Vjosa Osmanit në delegacionet për homazhe në Vatikan, për Papa Françeskun.

Presidentja Osmani ka njoftuar nëpërmjet Facebookut se bashkë me presidentin Begaj dhe kardinalin e vetëm shqiptar Ernest Simoni kanë bërë homazhe për Papën, një ditë para ceremonisë së varrimit.

“Sot, në bazilikën “Shën Pjetri” në Vatikan, së bashku me Presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën”, ka shkruar Osmani.

E presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka publikuar fotografi të delegacionit, në të cilin shihen prijësit fetarë në Shqipëri.

“Bashkë, për të nderuar Papa Françeskun. Nderojmë kujtimin e Shenjtërisë së Tij, që na la një trashëgimi shpirtërore dhe morale për ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe të jetësojmë vizionin e tij për drejtësinë, solidaritetin dhe paqen”, ka shkruar ai.