Arbëri

Prezantohet raporti i BE-së për potencialet e turizmit të butë në Deçan

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ia ka prezantuar dhe dorëzuar të enjten Komunës së Deçanit një dokument të rëndësishëm për mundësitë e zhvillimit të turizmit të butë me potencialin që ka, të punuar nga ekspertë të BE-së. Këtë dokument, kryetari i Deçanit e ka vlerësuar si dokument më të rëndësishmin për Deçanin në kohën e fundit

Mundësitë e zhvillimit të turizmit të butë në Deçan ishin në fokus të takimit të shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë me drejtuesit e kësaj komune.

Me vete, Tomas Szunyog kishte edhe një raport të punuar, bazuar në një studim të kryer nga ekspertët e angazhuar nga Bashkimi Evropian për potencialet dhe mundësitë e zhvillimit të turizmit të butë në këtë komunë.

Ky raport u prezantua nga një ekspert i BE-së para krerëve të kësaj komune, gjatë takimit të mbajtur pa praninë e mediave.

“Turizmi i butë është në përputhje të plotë me prioritetet e Bashkimit Evropian për marrëveshjen e gjelbër dhe ekonominë e gjelbër, kështu që shpresojmë se së bashku do të arrihet përparim në këto çështje dhe të hapet komuna për turistë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga BE-ja”, ka deklaruar Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë.

Me këtë raport të BE-së, Komunës së Deçanit i jepet mundësia për të zhvilluar turizmin e butë me potencialin e saj që ka.

Duke iu falënderuar Bashkimit Evropian për këtë raport, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka vlerësuar se ky dokument është më i rëndësishmi për komunën e tij kohët e fundit.

“Ky dokument, po ashtu, na shtien në përkushtim neve si komunë dhe si autoritet lokal që me hartua edhe strategji të tjera të përshtatshme, mirëpo që me marrë edhe hapa konkretë drejt zhvillimit të këtyre resurseve dhe potencialeve që i ka Komuna e Deçanit”, është shprehur Ramosaj.

Turizmi i butë ka të bëjë me shfrytëzimin e ambientit pa degradimin e tij, por nuk ka të bëjë me bjeshkatari e turizëm malor.

Gjithashtu, në kuadër të turizmit të butë hyjnë edhe realizimi i aktiviteteve të ndryshme kulturore e historike, promovimi i produkteve bujqësore e artizanale, ushqimi tradicional, mikpritja, trashëgimia historike e kulturore, si dhe legjendat e tregimet e trashëguara.

Komuna e Deçanit aktualisht është në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal, i cili, siç tha kreu i Deçanit, është edhe në harmoni me raportin e prezantuar nga BE-ja për turizmin e butë.

Në Deçan, Szunyogu e ka vizituar edhe Manastirin, duke e përsëritur thirrjen që vendimi i Kushtetueses për pronat të respektohet.