20 vjet më parë, Kosova ishte në gjendje lufte, duke u përballur me armikun serb.
Në atë kohë, e gjithë bota demokratike ishte përkrah popullit të shtypur të Kosovës, raporton KTV.
Kështu, pas marrëveshjes së Kumanovës, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, u mundësua që trupat e Forcës Veri-Atlantike të hyjnë në Kosovë.
Hyrja e trupave të NATO-s u dha fund masakrave e shovinizmit serb mbi qytetarët e pafajshëm të Kosovës.
Në nderim të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, do të organizohen një sërë aktivitetesh, ndër të cilat u prezantua slogani dhe logoja e cila përmban numrin 20, bashkë me simbolin e pëllumbit, që është simbol i paqes.
Ndërsa si slogan është përzgjedhur fjalia “Për lirinë tonë”, që është shkruar në tri gjuhët zyrtare të Kosovës e që vjen si falënderim për të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Udhëheqësi i Ekipit zbatues për realizimin e agjendave shtetërore, Fehmi Mehmeti, deklaroi se përgatitjet janë në fazën finale dhe aktivitetet kryesore do të mbahen më 12 dhe 13 qershor.
Më 12 qershor do të mbahet edhe një tubim në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, ku do të marrin pjesë edhe krerët e vendit dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.
Po ashtu, do të përurohet edhe busti i ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.
Fillimisht, trupat e NATO-s numëronin 50.000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të kësaj aleance dhe vendeve aleate.
Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.
Ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i parapriu një luftë e ashpër në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe si dhe shumë masakra të kryera nga paramilitarët serbë ndaj civilëve shqiptarë.