Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Drejtorinë e Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Osmani ka falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre, derisa gjatë vizitës është shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Republikës së Kosovës Gazmend Hoxha si dhe kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq.
“Në radhë të parë ishim në vizitë në drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdo ditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka netë festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’iu dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, tha Osmani.
E para e vendit ka uruar qytetarët e të gjitha etnive për festat e fundvitit.
“Shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës të të gjitha etnive për festat e fundvitit duke iu dëshiruar të gjithëve shëndet dhe prosperitet me shpresën që viti 2025 do t’i sjell të gjitha të mirat për shtetin tonë”, tha Osmani.
Në kuadër të kësaj vizite të fundvitit, presidentja Osmani ka shfrytëzuar rastin të shpërndajë dhurata për fëmijët në veri të Mitrovicës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë vizitës në veri të vendit me presidenten Vjosa Osmani, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha dhe Zëvendësdrejtorin Fehmi Hoti, ka thënë se sukseset e Republikës iu takojnë atyre që janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën për sigurinë e qytetarëve.
“Pas këtyre vizitave, festën ia uruam edhe Ramadan Behramit në Kroin e Vitakut, i cili përkundër sfidave e kërcënimeve të vazhdueshme nuk hoqi dorë nga prona e tij dhe në kuadër të mbështetjes së Qeverisë sonë, do ta festojë vitin e ri në shtëpinë e tij të re. Sfidat e vitit 2024 nuk na kanë ndalur dhe na kanë forcuar, në vitin 2025 uroj të gëzojmë suksese të përbashkëta, për Republikën tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.