Arbëri

Presidentja Osmani e cilëson të ulët pjesëmarrjen e grave në FSK

Në 21-vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me “UN-Women” kanë organizuar konferencë me temën “Roli i grave në sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë”.

E pranishme në këtë konferencë, presidentja Vjosa Osmani ka potencuar pjesëmarrjen e ulët të grave në FSK.

Porse ka theksuar se me gjithë sfidat, në Kosovë është shënuar përparim në rrafshin e përfshirjes së grave në vendimmarrje.

“Edhe pse përfaqësimi thuhet se është i garantuar në shumicën e institucioneve të vendit, ato ballafaqohen me probleme të shumta e diskriminim. Asnjë profesion nuk ka gjini, çdo profesion është i përshtatshëm dhe gratë aty do të shkëlqejnë. Pjesëmarrja e vajzave në FSK vazhdon të jetë tejet e vogël, 7 ose 8 për qind, në Forcë janë vajza, kjo është sfidë në mbarë boten, ne kemi nevoje të shohim ndryshim në këtë”, tha Osmani.

Përfaqësim më të madh të grave në vendimmarrje ka kërkuar edhe koordinatorja për zhvillim nga Kombet e Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson.

Ajo ka thënë se kur janë gratë në pushtet ka më pak konflikte.

“Gratë janë shumë pak të përfaqësuara në negociatat për paqe dhe siguri, çdo aspekt funksionon më mire kur të gjithë marrin pjesë. Kur gratë janë të angazhuar plotësisht në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë ne shohim rezultate, më pak konflikte dhe me shume marrëveshje për paqe”, tha Richardson.

Ndërkaq drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës Kosovë-Serbi ka kërkuar ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se nuk do të ndalet derisa dhunuesit të përballen me drejtësinë.

“Sot enden të lirë kriminelët që dhunimin më së shumti ndaj vajzave e grave e përdorën si mjet lufte. Angazhimi dhe puna e vajzave e grave si dhe shumë organizatave për kërkim nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet deri sa të ketë ballafaqim me drejtësinë”, deklaroi Sveçla.

Më 31 tetor të vitit 2000, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte miratuar Rezolutën 1325, e cila kërkon rritjen dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje për çështjet e sigurisë.