Arbëri

Presidentja Osmani

Vjosa Osmani të dielën është zgjedhur presidente e vendit me mandat 5-vjeçar. Ajo u zgjodh e para e vendit në rundin e tretë me 71 vota për, ndërkohë që 11 vota ishin të pavlefshme. Për zgjedhjen e saj u deshën tri runde votimesh. Seanca nisi të shtunën, dështoi në mungesë të kuorumit. Në zgjedhjen e saj kontribuuan edhe 12 nga 15 deputetët e LDK-së, komunitetet joserbe dhe nga një deputete prej PDK-së e AAK-së, parti këto që bojkotuan seancën. Seancën e bojkotoi edhe Lista Serbe. Osmani është presidentja e dytë grua dhe e gjashta në përgjithësi

Gruaja më e votuar në gjithë historinë e zgjedhjeve në Kosovë ka marrë postin më të lartë në vend.

Vjosa Osmani të dielën është zgjedhur presidente e vendit me mandat 5-vjeçar.

Ajo u zgjodh e para e vendit me 71 vota për, ndërkohë që 11 vota ishin të pavlefshme.

Për zgjedhjen e saj u deshën dy seanca dhe tri runde votimesh në seancën e dytë të mbajtur të dielën në mbrëmje. E para, e mbajtur të shtunën, dështoi në mungesë të kuorumit.

Osmani u zgjodh presidente në rundin e tretë, kur kërkohej minimumi prej 61 votash, e jo 80 si në dy rundet e para, siç parasheh Kushtetuta e vendit.

Në zgjedhjen e saj kontribuuan edhe 12 nga 15 deputetët e LDK-së, komunitetet joserbe dhe nga një deputete prej PDK-së e AAK-së, parti këto që bojkotuan seancën. Seancën e bojkotoi edhe Lista Serbe.

Osmani, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi me iniciativën e saj “Vjosa” në kuadër të listës së Vetëvendosjes, doli më e votuara nga të gjithë, me mbi 300 mijë vota të qytetarëve.

Ajo është presidentja e gjashtë e vendit pas Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdiut, Behgjet Pacollit, Atifete Jahjagës dhe Hashim Thaçit.

Kundërkandidat i saj ishte Nasuf Bejta.

Pas zgjedhjes së saj, ajo iu adresua deputetëve, qytetarëve e të tjerëve me një fjalim të gjatë e unifikues, duke prekur gati të gjitha temat që e mundojnë vendin.

“Sot është dita e Kosovës, dita juaj, ditë në të cilën vullneti juaj qytetar po plotësohet dhe institucionet po konstituohen plotësisht. Po e vulosin një ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë. Sot është dita kur dëshmojmë se me urti dimë t’i përballojmë sfidat e t’iu japim kuptim. Sot Kosova e zgjodhi edhe një presidente grua, vajzat e kanë vendin vetëm ku ato vetë dëshirojnë. Mos u ndalni, mos e ndalni hapin tuaj kurrë. Çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet”, ka thënë ajo.

Fjalimi i gjatë dhe unifikues i presidentes

Vendi është bërë me presidente pas pesë muajsh mungesë. Në pesë muajt e fundit, që kur Hashim Thaçi dha dorëheqjen për t’iu përgjigjur ftesës nga Gjykata e Hagës, vendi pati dy ushtrues detyre të presidentit. Fillimisht atë e ushtroi Vjosa Osmani si kryetare e Kuvendit që ishte në legjislaturën e kaluar, ndërkohë nga 22 marsi këtë detyrë e mori Glauk Konjufca, kryetar i ri i Kuvendit.

Ceremonia solemne e pranimit të detyrës pritet të mbahet gjatë kësaj jave.

Osmani pas zgjedhjes mbajti një fjalim të gjatë dhe unifikues.

“Në Qeveri sot kemi ministra që kanë mbijetuar masakrën e Dubravës e na tregojnë që i bëjmë ballë çdo sfide. Në krye të Qeverisë është kryeministri ynë, një ish-i burgosur politik. Secili nga ta e shumë të tjerë në këtë sallë që dhanë më të shtrenjtit e tyre, sot shpërfaqin një faqe të re të historisë së Kosovës. Bashkë të gjithë ne e kemi kthyer dhimbjen në fuqi për bashkëveprim të qytetarëve tanë. Ne jemi fëmijët e prindërve që çdo ditë u zgjuan e ranë në gjumë me brengën se si do t’i rrisnin fëmijët e si do t’i ushqenin familjet. Prandaj sot të gjithë shprehim mirënjohjen e thellë ndaj gjeneratës tonë. Sot Kosova rishtas po e jep shembullin e demokracisë”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe figura të tjera të luftës e paqes që kontribuuan për çlirimin dhe pavarësimin e vendit.

Një seancë, tri runde e shumë negociata e kundërshtime

Zgjedhja e saj presidente nuk ishe aq e lehtë, për shkak të kundërshtimit të partive opozitare.

Në fund ishte vetëm LDK-ja, parti nga doli Osmani para zgjedhjeve të fundit, që ia ofroi mundësinë për krijimin e kuorumit të nevojshëm për votim.

Nga kjo parti, sikurse në seancën që nisi të shtunën, as në të së dielës, nuk votuan tre deputetë: Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj.

Në fakt, gjërat u komplikuan në momentet e fundit para se të niste procesi i votimit në Kuvend, të shtunën. Deputetët e VV-së në pajtim me Qeverinë Kurti çuan në Kuvend Ligjin për zgjedhjet për plotësim-ndryshim. Sipas VV-së, ndryshimi më i madh ishte që diasporës t’i mundësohej të votonte në ambasada e konsullata. Kjo u bë si presion e shantazh nga partitë opozitare që pamundësuan miratimin e tij me procedurë të shpejtë.

Pas kësaj LDK-ja, që me herët ishte deklaruar se do të marrë pjesë në votim, vuri kusht që ligji të tërhiqet, gjë që edhe u bë.

Dy partitë e tjera, PDK e AAK, nuk pranuan të marrin pjesë në seancat e votimit, me arsyetimin se Osmani “nuk është figurë unifikuese, por përçarëse”.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe ata të AAK-së ishin të pranishëm vetëm në fillim të seancës të së shtunës, kur mbajtën fjalimet e tyre kundër dhe u larguan.

Të dielën nuk pati fjalime para procesit të zgjedhjes.

Në rundin e parë të votimit morën pjesë 81 nga 84 deputetë sa ishin në sallë. Për Osmanin votuan 69 deputetë. 12 vota ishin të pavlefshme. Në rundin e dytë votuan 82 deputetë, 67 ishin për Osmanin, katër për kundërkandidatin e saj Nasuf Bejta, dhe 11 vota u shpallën të pavlefshme.

E në rundin final, të tretin, Osmani mori 71 vota. 11 ishin të pavlefshme dhe asnjë nuk shkoi për kundërkandidatin e saj, Bejta.

“Rrjedhjet” nga partitë e tjera

Pos LDK-së, që gati me tërë deputetët mori pjesë në votim, edhe AAK-ja e PDK-ja patën “përfaqësuesit” e tyre në seancë.

Albena Reshitaj ishte pjesëmarrëse në votim edhe të shtunën, e edhe të dielën. Ajo e arsyetoi vendimin e saj, që ra ndesh me të partisë, se nuk dëshiron që të lejojë fatin e vendit në duart e Listës Serbe e as që ta çojë në zgjedhje.

“Mendoj që është një moment historik, meqë për herë të dytë u zgjodh një presidente grua. Mund të them me shumë bindje për herë të parë në histori të vendit kemi lënë jashtë ndikimin e Beogradit. Unë jam pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Nëse me përjashtojnë do të jem kandidate e pavarur, por nuk e besoj që do të ndodhë kjo.

Ky ka qenë vendimi im”, ka thënë Reshitaj.

Gjatë ditës së diel, asaj me një lutje i është drejtuar kolegia e saj deputete Time Kadrijaj, e cila e ftoi për ta respektuar vendimin e partisë.

“Unë kërkoj nga kolegia ime, znj. Albena Reshitaj, ish-kryetare e Komisionit për Shëndetësi, që të reflektojë dhe të mbrojë qëndrimet e partisë që ajo përfaqëson. Ne si AAK kemi garuar me kandidatin tonë për president dhe është shumë e pakuptimtë që të votojmë një kandidat tjetër! Prandaj po e lus publikisht, për hir të qytetarëve që e vlerësuan dhe ia besuan votën, që të reflektojë dhe të veprojë sipas vendimeve dhe qëndrimeve të partisë që përfaqëson në Kuvend”, ka shkruar Kadrijaj në Facebook.

E në momentet e fundit në seancë u paraqit edhe deputetja e PDK-së, Adelina Grainca. Ajo votoi në rundin e dytë dhe të tretë.

Kreu i VV-së dhe kryeministër, Albin Kurti, konfirmoi më pas se ajo i është bashkuar Grupit parlamentar të VV-së.

“Deputetja më e re e Kuvendit të Republikës, Adelina Grainca, na u bashkua sot në Lëvizjen Vetëvendosje“, ka shkruar Kurti në Twitter.

Pas kësaj, PDK-ja përmes një komunikate bëri të ditur se ka përjashtuar Graincën nga të gjitha strukturat e saj, ndërkohë ka akuzuar Kurtin “për blerje të saj”.

“Partia Demokratike e Kosovës ka shkarkuar sot nga të gjitha funksionet deputeten Adelinë Grainca, pasi ajo tradhtoi votën e elektoratit të PDK-së dhe e shiti votën e saj për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente. PDK-ja ka qenë e njoftuar qysh mbrëmë (e shtunë v.j.) se Albin Kurti ka hyrë në pazare me deputeten dhe familjarët e saj duke i ofruar para të majme, privilegje dhe qasje në tenderë publikë për bizneset që kanë deputetja Grainca dhe familja e saj”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ndryshe nga e shtuna, në seancën e së dielës ishin të pranishëm edhe dy kandidatët që së fundmi janë lidhur ngushtë me Listën Serbe, përfaqësuesi i goranëve, Adem Hoxha, dhe ai i Romani Iniciativa, Fadil Gashi.

Reagimet e PDK-së, AAK-së dhe të LDK-së

Pas zgjedhjes së presidentes u deklaruan edhe tri partitë opozitare, PDK e AAK përmes komunikatave, kurse LDK-ja përmes kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, që mori pjesë në votim.

“LDK-ja në këtë moment e tutje, pas vënies së qetësisë për njerëzit tanë, do të ushtrojë rolin opozitar përballë pothuajse një pushteti absolut”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërkohë, PDK-ja e AAK-ja kanë shkuar më larg me atë se si i shohin institucionet e shtetit, që të tria të udhëhequra nga një parti – VV.

“Sonte, në seancë të territ e të pazareve të cilat do t’i marrim vesh më vonë, Kosova rrëshqiti në monizëm, duke iu bërë dëm i pariparueshëm demokracisë së vendit. Sonte, autoritari Albin Kurti nënshtroi deputetët e tij, presidenten tashmë të zgjedhur të vendit dhe çfarë është për keqardhje edhe një parti opozitare si LDK-ja, për të shtrirë kontrollin e tij të plotë mbi institucionet e Kosovës. Kurti fillimisht e ndau LDK-në, pastaj e shantazhoi dhe kur kjo nuk i mjaftoi, edhe e kërcënoi dhe e zhveshi nga dinjiteti që i kishte mbetur”, thuhet në komunikatën e PDK-së. “Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të padenjë, përçarëse dhe partiake Vjosa Osmanin, e cila do t’i shërbejë vetëm kryeministrit Kurti, por jo edhe qytetarëve të Kosovës dhe përfaqësimit të interesave të tyre. Vjosa Osmani, presidentja e zgjedhur, nuk do të jetë asnjëherë presidentja valide, unifikuese dhe e të gjithë popullatës – por një figurë e grupeve biznesore, marionetë e një autoritari dhe emri që bëri të mundur goditjen më të madhe demokracisë së vendit“.

Më e butë ishte AAK-ja në reagim.

“Sistemi njëpartiak dhe i kapur sapo filloi. Aleanca do të jetë zë i ndërgjegjes së popullit, shtyllë kushtetuese dhe mbrojtëse e ekonomisë së tregut të lirë. Urime deputetëve që morën pjesë duke i përfshirë edhe ata të pazarit të natës që lan parimet për përfitime të atypëratyshme. Lufta për demokraci fillon sonte. Ftoj politikanët dhe qytetarët e vullnetit të mirë të mbrojmë së bashku vlerat e Kushtetutës dhe shtetit të lindur nga gjaku i lirisë”, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Urimet nga BE-ja, Washingtoni e më gjerë

Zgjedhjen e saj presidente e kanë uruar në minutat e para të huaj e vendorë, ambasada e institucione të BE-së.

“Urime për Vjosa Osmanin në zgjedhjen e saj si presidente të Kosovës. BE-ja pret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe institucionet e sapokonsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rifillojë reformat e BE-së dhe të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, thuhet në urimin e BE-së në Twitter.

Edhe shefi i misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, ka uruar Vjosa Osmanin me urimin se do të bashkëpunojnë për forcimin e sundimit të ligjit në vend.

“Urime Vjosa Osmani për zgjedhjen tuaj si presidente e re e Kosovës. Ju keni thënë se e keni si përparësi kryesore forcimin e sundimit të ligjit dhe ne shpresojmë të punojmë me ju dhe Qeverinë e Albin kurtit për të arritur këtë objektiv të përbashkët të Kosovës dhe Bashkimit Evropian“, shkroi Wigermark në Twitter.

Osmani ka marrë urime edhe nga ambasadat e huaja në Kosovë. SHBA-ja e ka uruar vetëm tre minuta pas zgjedhjes së saj presidente.

“Përgëzime për Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj si presidente, dhe për ata deputetë që kryen detyrën e tyre si anëtarë të Kuvendit. SHBA-ja mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Republikën e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, shkroi ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett në Twitter.

Platformën Twitter për urim e shfrytëzoi edhe ambasadori i Italisë, Nicola Orlando.

“Italia është e përkushtuar të punojë ngushtë për të forcuar më tej partneritetin midis vendeve tona dhe për të mbështetur rrugën Euro-Atlantike të Kosovës”, ka shkruar Orlando.

Njësoj e ka uruar edhe OSBE-ja.

Për postin e ka uruar edhe kryeministri Albin Kurti. Kurti e Osmani bashkuan forcat dhe në zgjedhjet e fundit fituan 50.28 për qind të votave.

“Falënderoj të gjithë deputetët që votuan për të zgjedhur presidenten e re. Tani kemi përfunduar krijimin e institucioneve tona dhe kemi hyrë në një zonë të re të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit për popullin e Kosovës”, shkroi Kurti në Twitter.

Gjithë këto pritje, presidentja e re është zotuar se do t’i përmbushë.

“Zotohem se do të punoj për fuqizimin e shtetit, sundimin e ligjit, se do të mbroj çdo pëllëmbë të vendit. Do të jem presidentja e të gjithëve. Nuk jemi shumë për t’u ndarë në ne dhe ata. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë, nuk do të ketë parti nga pozita dhe parti nga opozita”, ka thënë Osmani në fjalimin e saj të parë si presidente.