Osmani ia ka falur pjesën e mbetur të dënimit njërës prej të burgosurave në Burgun e Lipjanit. Ky është rasti i parë që presidentja fali një të dënuar për vepër penale, që kur e pranoi këtë pozitë më 2021. E për numër të ulët të faljeve të të dënuarve, ajo është kritikuar nga Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
Nga 105 kërkesa për falje të të dënuarve për vepra penale sa janë bërë më 2024, vetëm një është aprovuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se Osmani ka falur një të dënuar, e burgosur për veprën “Rrezikim i Trafikut Publik” dhe e cila lindi gjatë kohës së vuajtjes së dënimit.
“E dënuara ka filluar mbajtjen e dënimit prej 1 vit e dy muaj burg, në korrik të vitit 2024, ndërkaq do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti. Dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i presidentes, ka arritur sot në tavolinën e presidentes. Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”, thuhet në njoftimin e Presidencës të mërkurën.
Teksa u duartrokit për këtë vendim, në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e kanë kritikuar presidenten për numrin e ulët të faljeve të të burgosurve. Kryetari i këtij këshilli, Behxhet Shala, ka thënë se po shkelen të drejtat e shumë të burgosurve.
“Presidentja është keqpërdoruesja më e madhe e të drejtave të personave të privuar nga liria për faktin se e ka një të drejtë kushtetuese, të cilën askush nuk ia kushtëzon dhe ajo nuk e shfrytëzon. Edhe këtë falje që e ka bërë, e ka bërë nën presion të opinionit, ku kanë shkuar mediet se një nënë me fëmijë për një vepër në trafik që është e vërtetë. Por, aty në burgun e grave në Lipjan sigurisht janë 15 të dënuara që meritojnë të falen pa asnjë problem”, ka thënë Shala.
E Ehat Miftaraj, drejtues i Institutit të Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar se rritja e numrit të rasteve ku presidentja i fal të dënuarit, do të ndikonte në ndryshimin e mendësisë dhe sjelljes së të burgosurve.
“Këta qytetarë në njëfarë mënyre në momentin kur dënohen le të themi me 10 vjet burg, nëse kanë shpresë se një ditë do të jenë subjekt i faljes nga presidenti janë të obliguar të kenë sjellje shembullore në shërbimin korrektues. Duhet të punojnë shumë në socializimin dhe rehabilitimin e tyre, në mënyrë që të përfitojnë nga kjo mëshira e shtetit përmes presidentes. Tash nëse shteti ose presidentja nuk e shfrytëzon këtë të drejtë kushtetuese që e ka, atëherë humb edhe motivi edhe qëllimi i personave në vuajtje të dënimit që të ketë sjellje shembullore apo në rehabilitimin dhe socializimin e tyre”, ka thënë Miftaraj.
Që nga viti 2021, kur e mori postin e presidentit, ky është rasti i parë që Osmani fali një të dënuar për vepër penale.