Arbëri

Presidenti Thaçi premton se do të dëshmojë këtë të premte lidhur me dëbimin e shtetasve turq

Pas disa refuzimeve për t’u intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar për çështjen e dëbimit të 6 shtetasve turq, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar që kjo të bëhet më 26 prill.

Kreu i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, ka thënë se për këtë është njoftuar nga Zyra e Presidencës pak orë para se të fillonte mbledhja, raporton KTV.

Ndërkaq, janë ftuar për riintervistim ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi, dhe ish-drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni.

Gjithashtu, do të intervistohen edhe dy pjesëtarë të AKI-së, pjesëmarrës në operacionin e dëbimit të 6 shtetasve turq.

Intervistimi i tyre do të bëhet më 3 maj.

Por, çështja e vazhdimit të mandatit dhe puna e këtij komisioni ka përplasur deputetët në pushtet dhe opozitë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, punën e këtij Komisioni e cilësoi ndërhyrje në drejtësi.

Më 29 mars të vitit të kaluar, 6 shtetasit turq u dëbuan nga Kosova në Turqi.

Në lidhje me dëbimin e tyre, Komision kishte konstatuar se u bënë 31 shkelje ligjore që nga revokimi i lejeve të qëndrimit e deri te dëbimi.

Ky raport ishte deponuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ky organ ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetime për rastin.