Arbëri

Presidenti i Izraelit: Lidhja me Shqipërinë po thellohet

Edi Rama - Isaac Herzog

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tek ka dekoruar kryeministrin shqiptar, Edi Rama me Medaljen Presidenciale të Nderit, ka thënë se lidhja Izrael-Shqipëri po thellohet.

Në një ceremoni të organizuar të dielën në Jerusalem, Herzog ka lavdëruar mikpritjen shqiptare për popullin hebre në histori.

“Kodi shqiptar i besës, betimi i shenjtë i nderit, mbrojtjes dhe integritetit ndihet mjaft i pranishëm në këtë holl. Besa ka udhëhequr kombin shqiptar dhe ka mbajtur pishtarin e dritës në emër të të gjithë njerëzimit në orët e tij më të errëta, gjatë Holokaustit. Populli shqiptar ishte një simbol nderi dhe kuraje. Me kurajë ata iu dhanë strehë grave, burrave hebrenj, të cilët arratiseshin nga pjesë të tjera të Evropës dhe duke e bërë këtë, ndihmuan në mbrojtjen dhe ruajtjen e njerëzimit përballë krimeve më të mëdha midis qenieve njerëzore. Kjo thirrje integriteti e nderi rrënjosur thellë në popullin tuaj, gjen jehonë fort në udhëheqjen tuaj sot, gjen jehonë në angazhimin tuaj ndaj tolerancës, humanizmit dhe drejtësisë sociale, gjen jehonë në qëndrimin tuaj të pakompromisë kundër antisemitizmit dhe urrejtjes”, ka thënë Herzog, sipas transmetimeve në Shqipëri.

Sipas “Jpost.com”, Herzog ka dekoruar Ramën për qëndrimin e tij në mbështetje të Izraelit pas sulmit të Hamasit më 7 tetor të 2023-s.

Herzog ka thënë se lidhja shqiptaro-izraelite po thellohet përmes fluturimeve të drejtpërdrejta dhe nënshkrimit të marrëveshjes për projekt të përbashkët mjekësor.

Ndërkaq Rama, që ka publikuar pamje nga ceremonia, ka thënë se këtë dekoratë e konsideron “nderimin e duhur për shembullin që shqiptarët i lanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre të vetëm tek nazistët, si edhe për faktin domethënës se në Shqipëri s’ka vend për asnjë formë të urrejtjes fetare apo etnike, përfshirë edhe antisemitizmin”.