Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është nderuar të enjten me titullin “Qytetar nderi” nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, për kontributin e dhënë në shpalljen e pavarësisë dhe ndihmën e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Pasi që pranoi çmimin, presidenti Begaj u shpreh se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë afër edhe në kohë paqeje.
Begaj u shpreh se duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet vete në mënyrë që “të forcohemi si shqiptar”, dhe siç tha ai “të ndërtohet një ekonomi e zhvilluar për t’u ngritur sa më lartë”.
Tutje, Begaj tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të shohin një të ardhme të përbashkët në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
“Është e vështirë të gjej fjalët e duhura për të shprehur mirënjohje, emocione dhe nderime. Ky titull i përket të gjithë shqiptarëve që në momentet me të vështira të historisë së Kosovës qëndruan pranë jush si pjesë e pandashme. Ne do të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit kurdoherë edhe në kohë paqe, sepse paqja që të mbrohet kërkon diçka edhe më të vështirë, mëndje të mençur, vizion të qartë dhe guxim për të ndërtuar një të ardhme. Duhet të dimë ta përdorim ketë mundësi për të forcuar njëri-tjetrin, Për të ndërtuar një ekonomi të bashkuar, për të ndarë së bashku eksperiencat më të mora, dhe patjetër për tu ngritur bashkë si shqiptarë… Ne duam të jemi pjesë e Evropës, sepse i përkasim asaj me vlera e histori. Jemi një popull që beson te demokracia, liria, drejtësia dhe te vlerat euroatlantike të një Shqipërie të zhvilluar. Shqipëria dhe Kosova duhet ta shohin një te ardhme në një rrugëtim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Begaj.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni tha se presidenti Begaj, po vazhdon të kontribuojë për vendin tonë.
Hyseni, shtoi se roli i Shqipërisë si mbështetëse e fortë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet jetik
“Një titull simbolik që vjen si shenjë mirënjohje dhe respekti për gjithçka që keni bëtë për Kosovën dhe qytetarët e saj veçanërisht në ditët më të errëta të historisë sonë…Gjatë periudhës së luftës, 98-99, kur Kosova po përjetonte luftën, ju ishit oficer në ushtrinë shqiptare, i gatshëm për t’i dalë në ndihmë vëllezërve e motrave. Ky kontribut është ai që na shtyn sot qe të ju nderojmë me ketë titull. E gjithë Kosova nuk do të harroj kurrë ndihmën e Shqipërisë…Në këtë kohë kur Kosova po konsolidon shpejtësinë e saj, po synon të bëhet pjesë e familjes evropiane, roli i Shqipërisë, si mbështetëse i fortë mbetet jetik”, tha Hyseni.
Fjalë rasti për presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, patën edhe asamblistët nga partitë politike të Kosovës.
Asamblisti nga LDK-ja, Gentrit Murseli vijoi se Begaj është një president i cili e ndien Kosovës si pjesë të pandashme të shpirtit të shqiptarëve.
“Ne kemi parë një udhëheqës që kupton historinë tonë si udhërrëfyes për të ardhmen, President që Kosovën e ndjen si pjesë e pandashme të shpirtit shqiptare... Nuk jeni vetëm një mik por një vëlla që jep dritë ne themelin e bashkimit”, vijoi Murseli.
Ndërsa, Bujar Nevzati nga PDK-ja theksoi se duhet bërë hapa te vazhdueshëm drejt bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
“Të gjithë ne brezat jemi rritur me ëndrrën për Shqipërinë dhe një pjesë e kemi bërë realitet me përpjekjen e luftës tonë për gati një shekull, luftën e UÇK-së, po patjetër me ndihmën e jashtëzakonshme të Shqipërisë sonë… E tashmja jonë na ka mundësuar të jemi të bashkuar duke kujtuar gjithmonë ata që u sakrifikuan për bashkim. Duhet bërë hapa të tjerë drejt bashkimit tonë”, theksoi ai.
E Nazim Gagica nga AAK-ja, potencoi se ky titull i dhënë afirmon bashkëpunimin e pa thyeshëm mes dy shteteve.
“Ky akt merr peshë të veçantë. Sot duke shpallur presidentit Begaj si qytetarë nderi ne afirmojmë edhe një herë lidhjen tonë të pathyeshme me shtetin Shqipërinë”, potencoi Gagica.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po qëndron për vizitë zyrtare dy ditore në Kosovë./Ksp