Presidenca në krye me Vjosa Osmanin është duke shqyrtuar punën që ka bërë ekipi përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. Presidenca nuk ka treguar se si do të veprojë me këtë iniciativë të nisur nga ish-presidenti Hashim Thaçi për pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kurse ish-anëtarë të ekipit përgatitor kërkojnë që puna për themelimin të vazhdojë
Për të bërë pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve dy dekada pas luftës, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte nisur iniciativën për themelimin e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin. Puna e nisur më 2018 për themelimin e këtij komisioni ka mbetur në gjysmë, pasi ajo nuk është përfunduar sa Thaçi ishte në krye të shtetit.
Kurse tash, Presidenca e udhëhequr nga Vjosa Osmani nuk ka treguar se si do të veprojë me këtë nismë. Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, i ka thënë KOHËS se Presidenca ka bërë të ditur se aktualisht është duke u vlerësuar puna e ekipit përgatitor.
“Lidhur me funksionimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin ju njoftojmë se kabineti i presidentes Osmani është në shqyrtim e sipër të punës paraprake që është bërë në këtë drejtim. Aktualisht ekziston një draft-statut për këtë komision, i cili është në proces të shqyrtimit dhe vlerësimit”, ka thënë Kupina.
Ekipi përgatitor, deri fundvitin e kaluar ka hartuar një akt normativ, i cili përmban dispozita për mënyrën e funksionimit të komisionit pas themelimit të tij. Pjesë e këtij ekipi nga shoqëria civile ka qenë edhe hulumtuesja e drejtësisë transcionale Nora Ahmetaj.
Ajo thotë se komisioni duhet të themelohet, ndonëse shton se kjo është kompetencë e presidentes.
“Unë mundem vetëm me thanë që në fushën e ballafaqimit me të kaluarën është pak e rrezikshme me bo eksperimente të tipit ashtu siç kanë ndodhur në Kosovë qe 22 vjet gati, ku secila administratë fillon nga zeroja me ide të reja me u marrë me të kaluarën”, ka thënë Ahmetaj.
Komisioni, sipas Ahmetajt, do të ndihmonte sidomos në zgjidhjen e shumë pikëpyetjeve që kanë të bëjnë me personat e zhdukur gjatë luftës.
“Themelimi i këtij komisioni kishte me qenë ombrellë e shumë aktiviteteve të tjera të cilat do të derivonin ndoshta dhe me ardhë deri te gjetja e pikëpyetjeve të mëdha që na kanë brengosur tash 22 vjet jo vetëm te përafrimi i dy narrativave mes shqiptarëve dhe serbëve në radhë të parë, por edhe të komuniteteve të tjera brenda Kosovës”, shton Ahmetaj.
Kurse kolegia serbe e Ahmetajt, Jovana Radosavleviq, e cila po ashtu ka qenë anëtare e ekipit përgatitor, nuk është përgjigjur në thirrjet e KOHËS për të dhënë një vlerësim rreth kësaj çështjeje.
Vitin e kaluar kabineti i ish-presidentit Thaçi vonesat në themelimin e komisionit i kishte arsyetuar edhe me pandeminë COVID-19. Në vitin 2017, derisa po shpaloste këtë iniciativë para zyrtarëve shtetërorë, klerikëve fetarë e korit diplomatik, ish-presidenti Thaçi kishte thënë se synim është nisja e një jete të re për të gjithë qytetarët, duke falur, por duke mos harruar, e duke pranuar dhe njohur krimet.