Arbëri

Premtimi i parealizuar i Kurtit, AKP-ja vazhdon me shitjen e pronave shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka vazhduar me valën e re të shitjes së aseteve përmes likuidimit, ani se kryeministri Albin Kurti me të ardhur në pushtet kishte premtuar se do ta shuante atë. Nga kjo Agjenci nuk kanë treguar nëse ka pasur koordinim me Qeverinë për këtë valë të shitjes. Ndërsa Edison Jakurti, i cili ka qenë pjesë e ekipit për themelimin e Fondit Sovran ka thënë se është e dhimbshme të shohësh që privatizimi po vazhdon si përherë

Kryefjalë në shumë fjalime të kryeministrit Albin Kurti para ardhjes në pushtet ishte shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Me të tilla premtime kishte vazhduar edhe pas marrjes së mandatit.

“Kemi thënë se AKP-ja do të shuhet dhe AKP-ja do të shuhet. Që të shuhet APK-ja është e rëndësishme që të shkarkohet bordi, sepse kanë vjedhur shumë, por ne nuk i lejojmë të vjedhin më, kanë vjedhë me paga, kanë vjedhë me privatizime”, pati deklaruar kryeministri Kurti në maj të 2021-tës në një seancë të Kuvendit.

Por, pas më shumë se dy vjetësh nga ky premtim i Kurtit kjo Agjenci ka vazhduar me punën e saj, edhe pse Bordi u shkarkua. Të mërkurën ajo ka organizuar valën e 63-të shitjes së aseteve përmes likuidimit, ani se Qeveria kishte thënë se një pjesë e aseteve që ka nën menaxhim do të kalojnë tek Fondi Sovran, i cili ende nuk është krijuar.

Në kuadër të kësaj vale është shpallur shitja e 37 aseteve, kryesisht toka bujqësore e lokale, për të cilat u paraqitën 80 oferta.

Drejtori operativ në AKP, Muharrem Arifi, ka folur për dinamikën e shitjeve të aseteve.

“Deri më tani janë privatizuar mbi 2 mijë e 900 asete të ndryshme përmes shitjes së aseteve që kanë qenë nën administrim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Nga privatizimi dhe likudimi i këtyre aseteve të ndërmarrjeve shoqërore janë grumbulluar rreth 783 milionë euro. Sa i përket shpërndarjes së 20-përqindëshit, Agjencia po vazhdon me shpërndarjen e mjeteve të punëtorëve”, ka thënë ai, në ceremoninë e hapjes së ofertave.

Por, për më shumë se një javë nga kjo agjenci nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse ka pasur koordinim me Qeverinë për shpalljen e valës së re të shitjes. Përgjigje nuk kanë dhënë as për listën finale të aseteve që mendohet t’i kalohet Fondit Sovran.

E Edison Jakurti, i cili ishte pjesë e ekipit punues për themelimin e Fondit Sovran, ka thënë se është e dhimbshme dhe befasuese të shohësh që privatizimi po vazhdon si përherë. Sipas tij, kjo po bëhet përkundër premtimeve jo vetëm se nuk do të vazhdojë privatizimi në të ardhmen, por se do të ketë hetim për atë që ka ndodhur në të kaluarën.

“Grupi punues për themelimin e Fondit Sovran e ka propozuar listën me asete që mund të kalojnë në Fondin Sovran, por nuk ka sugjeruar që pjesa e mbetur e aseteve të privatizohet. Përcaktimi i fatit të këtyre aseteve nuk ka qenë detyrë e jona”, ka theksuar Jakurti.

Ai ka thënë se në grupin punës kanë dhënë sugjerime që mandati i AKP-së të transformohet në menaxhues.

“Ndonëse as përcaktimi i së ardhmes së AKP-së nuk ka qenë në mandatin tonë. Ne kemi i kemi sugjeruar Qeverisë që të transformohet mandati i AKP-së nga ai privatizues në menaxhues të procesit të shlyerjes së detyrimeve potenciale të akumuluara deri tani”, ka thënë ai.

Jakurti ka thënë se asetet që nuk kalojnë në Fondin Sovran mund të kalojnë në pronësi të komunave, ndërmarrjet ekzistuese publike ose një ndërmarrje e re e cila do t’i menaxhonte ato.

Procesi i privatizimit ka nisur në vitin 2003. Ai është kritikuar vazhdimisht për jotransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si “shkatërrues” i ndërmarrjeve shoqërore.