Arbëri

Premier League: S’është autorizuar “Arena” të japë leje ritransmetimi të ndeshjeve tona në Kosovë

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani, ka publikuar një letër të pranuar nga liga më e fortë e futbollit, asaj të Anglisë, në të cilën mohohet se “Artmotion” mund t’i transmetojë ndeshjet e saj. Pas kësaj deputeti Ramadani i ka bërë thirrje KPM-së të marrë masa, pasi ka vlerësuar se është piratëri transmetimi i ndeshjeve të ligës superiore angleze

Liga më e fortë e futbollit, ajo angleze, ka konfirmuar se rrjeti kabllor “Artmotion” nuk ka të drejtë transmetimi të ndeshjeve të saj nëpërmjet marrëveshjeve me “Arena Sportin”, që është në pronësi të Telekomit të Serbisë.

E ka kumtuar këtë në një letër-përgjigje, pas pyetjeve të deputetit Valon Ramadani, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Media.

“Premier League nuk e ka autorizuar direkt Artmotion për t’i transmetuar ndeshjet e Premier Leagues në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar ‘Arenën’ për t’i dhënë leje për ritransmetim të ndeshjeve të Premier Leagues në Kosovë. Me sa kuptojmë ne, ‘Arena’ ka marrëveshje me “Artmotion” për shpërndarjen e kanaleve të ‘Arenas’ në Kosovë, porse ‘Arena’ prodhon një version të kanaleve të tyre sportive pa ndeshjet e Premier Leagues për shpërndarjen e ‘Artmotion’ në Kosovë”, thuhet në letër.

Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së ka thënë se për të drejtat e transmetimit ose ritransmetimit përgjegjëse është KPM-ja dhe jo Kuvendi.

“KPM-ja kërkon marrëveshje valide mes palëve. Nëse marrëveshjet kanë skadu, kërkon ndalim të menjëhershëm. Sipas komunikimit që kemi pasur me Premier Ligen angleze, të drejtat për transmetimin e kësaj lige për Kosove për sezonat 2022/2023 deri 2024/2025 i kane ‘Digit-alb’ në gjuhën shqipe dhe ‘Aren’a në gjuhën serbe. Duke qenë se asnjëra nga këto dy kompani nuk janë të licencuara për të operuar në Kosovë, Premier Liga ua ka lejuar që të drejtat e transmetimit t'ua shesin palëve të treta. Palët e treta, të cilët janë operatorë të shpërndarjes të licencuar nga KPM-ja, e kanë për obligim që marrëveshjet e ritransmetimit të kanaleve të huaja t'i dorëzojnë në KPM. Duke qenë se marrëveshjet e tilla janë subjekt i afateve kohore, ne do t'i analizojmë marrëveshjet e deponuara me kujdes dhe mund të kërkojmë që të ndalohet menjëherë ritransmetimi i përmbajtjeve televizive në rast se mungojnë marrëveshjet valide”, ka thënë Mehmeti.

Vetëm pak kohë pasi platforma e ndërmarrjes publike të Kosovës, Telekom, siguroi të drejtat e transmetimit të kanaleve të “DigitAlb”, përfshirë ato të sportit në të cilat transmetohen edhe ndeshjet e “Premier Leagues”, Komisioni i Pavarur i Mediave ia mundësoi kabllorit “Artmotion” t’i rikthejë kanalet e platformës serbe, “Arena”. Ato ishin ndalur, pasi patën transmetuar spote që lartësonin terroristët e sulmit në Banjskë.

Pas përgjigjes së marrë nga Premier League, deputeti Ramadani i ka bërë thirrje KPM-së të marrë masa, pasi ka vlerësuar se është piratëri transmetimi i ndeshjeve të ligës superiore angleze nga “Artmotion”.

“Përgjigjja e tyre ishte e qartë: Premier Liga nuk e ka autorizuar ‘Artmotion’ direkt të transmetojë ligën angleze në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar ‘Arena Sportin’ nga Serbia që përmes ‘Artmotion’ të shpërndajë ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë. Transmetimet deri tani del të jenë bërë jashtëligjshëm dhe si të tilla do të duhej të trajtoheshin nga Komisioni i Pavarur i Mediave”, ka deklaruar Ramadani.

Në “Artmotion” nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për këtë situatë.

E, kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka theksuar se të drejtat e transmetimit i menaxhon KPM-ja e jo komisioni parlamentar.

Ndërkaq deputeti Ramadani i tha KOHËS se çështja e transmetimit nëpërmjet platformës serbe pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës, ku do të raportojnë anëtarët e KPM-së.