Arbëri

Prej një muaji, jashtë funksionit aparatura për trajtimin e grave me kancer gjenital

Onkologjia

Ka katër javë që rreth 30 gra me kancer nuk kanë mundur ta kryejnë rrezatimin e brendshëm, meqë shërbimi i Brahiterapisë është jashtë funksionit. Në Klinikën e Onkologjisë thanë se kompania kontraktuese nuk ka sjellë material radioaktiv, e në kompani nuk treguan arsyen e mosfurnizimit.

Pacientët me kancer kanë mbetur qe rreth një muaj pa një nga shërbimet kryesore të Klinikës së Onkologjisë.

Brahiterapia nuk është funksionale, e pacientë në kushte anonimiteti treguan se kanë mbetur pa e vazhduar trajtimin, përderisa sëmundja po u avancon.

Në SHSKUK përmes një përgjigje të shkurtër, vetëm kanë konfirmuar që aparatura nuk funksionon.

“Kompania që është përgjegjëse për sigurimin e burimit radioaktiv akoma nuk na ka sjellë, ka gati një muaj”, thuhet në përgjigjen e Klinikës së Onkologjisë.

Në këtë klinikë kanë treguar që menaxheri i kontratës për aparaturën e blerë ka dhënë dorëheqje.

“Menaxheri i kontratës ka dhënë dorëheqje nga puna dhe jemi në proces të zëvendësimit!”, thuhet në përgjigje.

KOHA ka dërguar pyetje te kompania “Medika”, e cila është e kontraktuar për furnizim me material radioaktiv, por nuk ka ofruar përgjigje.

Brahiterapia konsiderohet si shërbim i avancuar i rrezatimit. Aparatura e saj shërben për kryerjen e rrezatimeve të tumoreve gjenitale, por përdoret edhe për kanceret në kokë dhe qafë, lëkurë, mushkëri e organe të tjera. Megjithatë, në Kosovë aplikohet vetëm te tumoret gjenitale te gratë.

Brahiterapia ka avantazhin e përdorimit të një doze shumë të lokalizuar të rrezatimit, meqë përveç pjesës së lokalizuar ku është kanceri ruan qelizat e shëndosha.

Qe një muaj prej kur nuk funksionon ky shërbim, pacientët nuk mund ta marrin as në spitalet private në Kosovë, për shkak që asnjëra nga to nuk e ofron këtë shërbim.

KOHA ka mësuar që janë rreth 30 gra që do të duhej të rrezatoheshin me këtë aparaturë.

Ka tri javë prej kur Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebok ka njoftuar se janë hequr listat e pritjes për rrezatime të jashtme, por ndonëse aparatura për rrezatim të brendshëm ishte jashtë funksionit në po të njëjtën ditë, kjo gjë nuk është potencuar nga ky institucion.