Arbëri

Prej një dekade nuk finalizohet objekti i ri i Spitalit të Ferizajt

Spitali Rajonal i Ferizajt përballet me mungesë hapësire e të kushteve teknike, meqë nuk është finalizuar ende objekti i ri i nisur prej 10 vjetësh. Situata e vështirë ka nxitur reagimin e drejtuesve të spitalit, opozitës dhe të autoriteteve lokale në Ferizaj.

Nuk është finalizuar objekti i ri i Spitalit të Ferizajt, ndonëse ka nisur të ndërtohet një dekadë më parë.

Drejtues të këtij institucioni shëndetësor thonë se hapësira dhe kushtet teknike në objektin e vjetër janë të pamjaftueshme për të ofruar shërbimin e duhur, e për pasojë jo pak pacientë u drejtohen spitaleve të tjera.

“Mungesa e spitalit të ri neve a penalizon shumë në ofrimin e shërbimeve kualitative dhe në kohë ndaj pacientëve dhe kërkesave që kemi. Duke e pasur parasysh se vetëm sipërfaqja e spitalit të tanishëm e spitalit që është diku 3400 metra, kurse në spitalin e ri parashihet një sipërfaqe prej 24 mijë metra, kjo tregon për diferencën dhe hapësirën”, ka thënë drejtori i spitalit, Selajdin Sallahu.

Opozita në Ferizaj akuzoi qeverisjen lokale dhe atë qendrore për mungesë bashkëpunimi në finalizimin e objektit të ri të Spitalit, ndërtimi i të cilit ka kosto 20 milionë euro.

“Arsyet janë shumta, por njëra prej kryesoreve janë lojërat politike që po i bën pushteti lokal dhe atij qendror, por mbi të gjitha duhet theksuar se është me rëndësi për qytetarët e Ferizajt që të ndërtohet sa më parë sepse spitali aktual nuk i plotëson kushtet dhe nevojat për kërkesat e shumta që i kanë qytetarët”, ka thënë shefi i asamblistëve të LDK-së, Flamur Istrefi.

E, autoritetet komunale theksuan se zvarritja e punimeve është bërë për shkak të kontesteve financiare në mes të punëkryesit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që e financon projektin.

Ministria e Shëndetësisë e as SHSKUK-ja nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, përkitazi me ngecjet në realizimin e objektit të ri.

E, deri në finalizimin e projektit, Komuna ia ka vënë në dispozicion spitalit një hapësirë të Qendrës kryesore të mjekësisë familjare.