Arbëri

Prej dy vjetësh, Policia pa uniforma të reja

Policia e Kosovës qe më shumë se dy vjet ka dështuar t’i furnizojë pjesëtarët e saj në mënyrë të rregullt me uniforma e këpucë. Tenderi i nisur për uniforma qysh në vitin 2021 u anulua javën e kaluar e tenderi i këpucëve rreth një muaj me herët. Zyrtarët policorë kanë thënë se ka vite që nuk kanë marrë uniforma të reja e vetë institucioni nuk i është përgjigjur KOHËS për këtë çështje

Në shtator të këtij viti bëhen 2 vjet prej kur Policia e Kosovës ka filluar procesin e blerjes se uniformave të reja.

Kontrata e fundit për uniforma, siç kanë thënë burimet, është nënshkruar në vitin 2018, me kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Disa policë me të cilët ka biseduar KOHA, kanë thënë se nuk kanë marrë uniforma të reja prej të paktën 2 vjetësh.

Tenderi i shpallur në shtatorin e vitit 2021 nuk ka arritur të finalizohet. Pesha e këtij tenderi është mbi 11 milionë euro.

Pas rreth dy vjetësh procedurë, javën e kaluar Policia ka marrë vendim për anulimin e tenderit.

Në vendim thuhet se anulimi është bërë pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) në lidhje me ankesat për këtë tender.

Në prillin e këtij viti, Ministria e Punëve të Brendshme kishte marrë vendim për anulimin e këtij tenderi, por që kompanitë pjesëmarrëse në tender janë ankuan kundër këtij vendimi në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

E ky institucion i ka dhënë të drejtë Policisë së Kosovës duke i konsideruar të gjitha kompanitë si të papërgjegjshme.

Policia e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për këtë çështje.
Ky institucion është pyetur edhe për këpucët e zyrtarëve policorë, e informatat e KOHËS janë që po ashtu ka vite që ky institucion nuk i ka furnizuar zyrtarët policorë me këpucë.

Ky tender ishte hapur në vitin e 2022. E në faqen e OSHP-së del që në muajin qershor kanë aprovuar vendimin e Policisë së Kosovës për anulimin e këtij tenderi.

“Anulohet aktiviteti i prokurimit iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Policia e Kosovës me titull ‘Furnizim me këpucë për Policinë e Kosovës’ Pjesa 1: Këpucë standarde policore dhe pjesa 2 këpucë për uniformë solemne për femra”, theksohet në këtë informatë.

Këto uniforma përdoren nga mijëra policë të Kosovës.

Përjashtim bëjnë njësitë speciale për të cilat ka uniforma të tjera të veçanta që kontraktohen përmes një kontrate tjetër, e pjesëtarë civilë të Policisë së Kosovës që nuk veshin uniforma.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës janë ankuar vazhdimisht për mungesë kushtesh e që disa muaj edhe për mospagesë të shtesave të rrezikshmërisë.

Qeveria e Kosovës deklarativisht ka mbështetur këtë institucion, por kushtet e tyre të punës nuk u ndryshuan.