Një 24-vjeçar rrezikohet nga avancimi i një sëmundjeje kronike të aparatit tretës, shkaku i vonesave në procedurat e prokurimit në SHSKUK për ta kontraktuar një bar. Ai është diagnostikuar qe 2 vjet me sëmundjen Morbus Crohn. Por terapia biologjike që përdoret për trajtim mungon në QKUK prej qershorit. Familjarë të pacientit thonë se mbase do t’i gjenin 2.000 euro sa duhen për ta blerë terapinë, por ajo nuk shitet në barnatore private.
Një pacient 24-vjeçar, i cili është diagnostikuar me sëmundjen Morbus Crohn, ka mbetur pa terapi prej dy muajsh.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës prej qershori nuk ka furnizim me barin biologjik Infleximab, që jepet për sëmundjen kronike të aparatit tretës. Në mungesë të tij, pacienti ka ndërprerë terapinë.
Motra e pacientit tregoi vështirësitë për ta siguruar vazhdimin e trajtimit.
“Terapia biologjike nuk është qe dy muaj në Spitalin e QKUK-së dhe vëllai im qe dy muaj nuk arrin me e marrë terapinë e tij. Morbus Crohn është sëmundje efektive që do trajtim të veçantë, kështu që ai qe dy muaj nuk ka marrë terapinë e tij”, tha familjarja e pacientit.
Familja do të bënte zgjidhje të zorit po të gjenin mundësi që ta blinin në barnatore private këtë lloj bari, por asnjëra nga barnatoret nuk e ofron për shkak të specifikave të terapisë.
“Për komplet ciklin e terapisë kushton 2000 euro... Po kemi provuar me gjetë në barnatore private, por nuk kemi gjetë dhe dhoma në QKUK që merret, është gjysmintensive dhe nuk lejohet që të merret në ndonjë qendër tjetër”, tha familjarja.
Kjo familjare është e vetëdijshme që mungesa e terapisë po ia avancon vëllait të saj sëmundjen.
“Realisht mungesa e marrjes së terapisë ndikon në avancimin e sëmundjes këtë e kemi ditë edhe me herët por doktori ka thanë që nuk kemi zgjidhje tjetër por veç me pritë megjithatë e dimë që ndikon negativisht në shëndetin e tij”, tha familjarja.
Përveç kësaj, kjo familjare thotë që askush nga SHSKUK-ja e MSH-ja nuk i kanë ofruar informata zyrtare se çfarë duhet të bëjë.
Në mungesë të informatave të sakta nga Klinika e Gastrologjisë, ajo thotë që ka provuar të kontaktojë edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Askush nuk i është përgjigjur.
Ministria e Shëndetësisë e proklamon një linjë telefonike falas për pacientët që nuk janë të kënaqur me trajtimin ose nuk marrin trajtim. Ky numër është 080017777. Nëse dikush provon ta telefonojë këtë numër, përgjigjja është si në vijim që ky numër nuk është funksional.
Në SHSKUK kanë kthyer përgjigje për këtë çështje. Kanë deklaruar që “faji” që institucioni ka mbetur pa këtë lloj bari janë zvarritjet e procedurave të prokurimit.
Tenderi është hapur në fundin e muajit qershor, por në SHSKUK thanë se po presin edhe disa ditë siç është afati ligjor për të parë nëse ka ankesa. Në të kundërtën, kontrata do të nënshkruhet.
“Më datë 26.9.2023, OSHP kthen vendimin me të cilin lëndën e kthen në rivlerësim (siç dihet OShP-ja i ka 35 ditë afat për ta kthyer vendimin, ky ka qenë jashtë afatit ligjor). Është bërë rivlerësimi dhe është ngritur vendimi mbi fituesin në platformën elektronike E-prokurimi, ka afat për ankesë deri më datën 5.10.2023. Nëse nuk ka ankesë deri me datën e lartcekur, me datë. 6.10.2023 nënshkruhet kontrata”, thuhet nga SHSKUK.
Por edhe nëse kontrata nënshkruhet të premten, nga firmosja e deri në furnizim merr së paku 40 ditë kohë.