Arbëri

Prej disa vitesh sistemi i alarmimit në Lipjan jashtë funksionit

Prej disa vitesh ka dalë jashtë funksionit sistemi i alarmimit që gjendet mbi objektin e vjetër të Administratës Komunale në Lipjan.

Ky sistem i alarmimit në të kaluarën është testuar çdo muaj për disa sekonda me qëllim që të jetë në shërbim për raste të fatkeqësive si tërmete, vërshime, rrëshqitje të dheut e të tjera.

Në Qendrën e Zjarrfikësve në Lipjan kanë thënë se ky sistem është i domosdoshëm, andaj është përgjegjësi e sektorit të Administratës komunale që ta rifunksionalizojë në objektin e ri të Komunës.

Haqif Rrustemi, shef i zjarrfikësve në Lipjan ka thënë se prej më shumë se katër vjet sistemi i alarmimit ka dalë jashtë funksionit, andaj si institucion kanë bërë kërkesë në komunë që të bartet në objektin e ri dhe të rifunksionalizohet pasi që është mjaftë i rëndësishëm për raste të fatkeqësive natyrore.

“Sistemi i alarmimit apo qendra e alarmimit që gjendet mbi objektin e Komunës së vjetër prej më shumë se katër vjet nuk është funksional, ndërkohë me ndërtimin e objektit të ri të Komunës është dashur që ky sistem të bartet dhe të funksionalizohet. Sistemi duhet të testohet çdo muaj për disa sekonda dhe shërben për raste të fatkeqësive natyrore, për vërshime, tërmete, për sulme kimike, për rrëshqitje të dheut e të tjera. Kemi bërë kërkesë në administratë që të bartet në objektin e ri por ende nuk është shqyrtuar, prandaj jemi në pritje sepse është e domosdoshme që ta kemi funksional këtë sistem”, ka thënë Rrustemi.

Image

Në anën tjetër, Elmaze Behluli, drejtoreshë e Administratës në Komunën e Lipjanit ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim për ta rifunksionalizuar sistemin e alarmimit mbi objektin e komunës.

“Çka ka ndodhur më herët nuk e di por unë si drejtoreshë e Administratës e kam marrë përsipër se shumë shpejtë sistemin e alarmimit do ta vendosim mbi objektin e ri të Komunës dhe do të funksionalizohet. Pra, jemi duke punuar në këtë drejtim pasi që tashmë bartja është bërë e pajisjeve në objektin e ri”, ka thënë shkurt Behluli.