Arbëri

Prej 12 QMF-ve në Pejë vetëm dy kanë laboratore

Vetëm dy nga 12 Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Pejës janë të pajisura me laboratorë për analizat e pasqyrës së gjakut.

Laboratorë të tillë kanë vetëm QMF-ja në lagjen “Karagjaq” dhe QMF-ja në fshatin Vitomiricë.

Megjithatë, të dyja këto QMF nuk i afrohen për numrin e pacientëve për të cilët ofron shërbime QMF-ja 5 në lagjen “Fidanishte”, që edhe është më e madhja në Pejë. Kjo QMF ofron shërbime banorëve të lagjeve “Fidanishte”, “7 Shatori”, “Xhemajl Kada” dhe banorëve të disa fshatrave të afërta, të cilët preferojnë këtë ambulancë për kontrolle mjekësore.

Objekti i kësaj qendre shëndetësore qe rinovuar në vitin 2017. Pas rinovimit, një dhomë ishte lënë për laborator dhe ai ishte kompletuar edhe me pajisjet e reja laboratorike dhe inventar. Për t’u hapur kishte mbetur të angazhohen teknikët e laboratorit. E jo vetëm që nuk u angazhuan ata teknikë, por pa e bërë as edhe një analizë të vetmen, dhoma kishte mbetur pa pajisjet laboratorike në fillim të vitit të kaluar, kur ato pajisje janë dërguar në laboratorin në QMF-në e fshatit Vitomiricë, i cila tash funksionon me pajisjet e QMF-së së “Fidanishtes”.

Shefi i njëjësisë së QMF-5, mjeku Mentor Zhara, tregon se në këtë qendër mjekësore ka nevojë për laborator, duke pas parasysh numrin e madh të pacientëve që frekuentojnë në këtë qendër shëndetësore. Sipas tij, në këtë qendër mjekësore u ofrohet shërbim shëndetësor deri 25 mijë pacientëve në vit.

Nevojë për laborator ka edhe QMF-ja në fshatin Raushiq të Pejë, e cila ofron shërbime mjekësore për fshatin Raushiq, Lubeniq, Zllapek, Kryshec, Broliqi, Rashiqi, Zagermë dhe disa fshatra tjera përreth, me gjithsej mbi shtatë mijë banorë. Mjekja familjare Zize Hakaj-Veselaj, e cila është edhe shefe e kësaj qendre shëndetësore në Raushiq, tregon se çdo ditë ka numër të madh të pacientëve që udhëzohen për analiza laboratorike.

“Meqenëse në QMF-në tonë nuk kemi laborator, pacientët duhet të shkojnë në Pejë për t’i bërë analizat, e që janë shpenzime shtesë për pacientë. Së paku ta kemi pajisjen për hemogram”, ka thënë Hakaj-Veselaj.

Duke mos treguar se kur mund të ketë laboratorë edhe në QMF-të tjera, drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci ka thënë se “nuk munden të gjitha QMF-të të pajisen përnjëherë me laboratorë”.

“Është mirë që të gjitha QMF-të të kenë laboratorë edhe për punën e mjekëve dhe trajtimin e pacientit kur përcillet dhe me një pasqyrë të gjakut. E kemi nis me QMF-në në Karagaq dhe atë në Vitomiricë, por të gjitha përnjëherë nuk mund pajisen me laborator”, ka thënë Loci.

Ai ka pohuar se mjetet janë ndarë dhe se deri në fund të këtij viti gjithsesi me laborator do të bëhet QMF-5 në Fidanishte. Kurse vitin tjetër edhe dy QMF-ja të tjera. Loci ka deklaruar se vitin e ardhshëm mundësi më të mëdha për t’u bërë me laborator është QMF-ja në lagjen “Dardania” dhe QMF-ja në fshatin Raushiq. Pastaj në vitet në vijim, sipas tij, vazhdohet me QMF-të tjera.

“Tash jemi në planifikim të buxhetit për vitin e ardhshëm. Jemi duke shikuar për ta rritur numrin e punëtorëve të shëndetit primarë prej 350 në 360 punëtorë. E kur ta rrisim numrin e punëtorëve duhet të planifikohet edhe buxhet për rekrutimin e një stafi të mesëm për njësinë e diagnostikës, ku hynë laboratori dhe rëntgeni. E këta 10 punëtorë parashihen për këtë njësi”, ka deklaruar tutje ai.