Arbëri

Objekte të stërvjetruara të kthyera në “kontejnerë” mbeturinash

Prej më shumë se dhjetë vjetësh disa objekte të vjetra në afërsi të qendrës së qytetit të Lipjanit po paraqesin rrezik për qytetarët pasi ato po shfrytëzohen për dukuri negative. Ndërkohë deri më tash komuna ka dështuar t’i rrënojë apo t’i menaxhojë ato. Kjo ka nxitur reagimin e Asociacionit Rinor për të Drejtat e Njeriut në Lipjan pasi që në të kaluarën nuk janë shqyrtuar kërkesat e tyre.

Një objekt, pa dyer e dritare, në tregun e gjelbër në Lipjan, fare pranë qendrës së qytetit ka ngelur prej më shumë se 10 vjetësh në gjendje të mjerë dhe po shfrytëzohet nga të rinjtë për dukuri negative.

Por ai edhe objektet e tjera të papërdorshme në këtë komunë po shfrytëzohen edhe për diçka tjetër - hedhjen e mbeturinave.

Bekim Krasniqi, drejtor i Asociacionit Rinor për të Drejtat e Njeriut në Lipjan, ka thënë se vazhdimisht po pranojnë ankesa nga qytetarët lidhur me rrezikun që po shkaktojnë këto objekte.

“Kërkojmë nga institucionet përkatëse, nga Policia e Kosovës dhe nga Komuna që të marrin veprime konkrete për zgjidhjen e këtij problemi i cili është negativ për të rinjtë e qytetit. Komuna duhet të marrë veprime konkrete që t’i rrënojë ato dhe të largohen apo të gjejë një alternativë tjetër për zgjidhjen e këtij problemi që është mjaft shqetësues për qytetin e Lipjanit”, ka thënë Krasniqi, drejtor në organizatën “YAHR”.

Komuna e Lipjanit me gjithë ankesat e pranuara nga përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe qytetarët, ende nuk ka marrë hapa konkretë për menaxhimin e këtyre objekteve apo rrënimin e tyre.

“Çdo ankesë të qytetarëve do ta trajtojmë me përpikëri, ajo zonë aty ka mbetur si zonë ‘n’gri’ e komunës, ndërkaq për ato objekte do të shikojnë me Planin Zhvillimor Komunal për t’i ridestinuar ose do t’i rrënojmë në të ardhmen. Pra siç parashihej me planin zhvillimor ajo zonë është me interes publik të komunës”, u shpreh Avni Jashari, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës.

Ai ka shtuar se me hartimin e draftplanit të Planit Zhvillimor Komunal do të bëhet zgjidhja edhe e këtyre objekteve.