Arbëri

Pranohen dëshmi të reja në rastin “Thaçi dhe të tjerët”

Hashim Thaci Rexhep Selimi Kadri Veseli Jakup Krasniqi

Foto-Ilustrim: KOHA

Në procesin gjyqësor në Hagë, Thaçi dhe të tjerët do të përballen edhe me dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve, për të cilat Gjykata Speciale njoftoi të premten se i ka pranuar. Trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë në lidhje me dëshmitarin e 10-të

Gjykata Speciale ka njoftuar se më 10 shtator trupi gjykues ka pranuar në prova dëshmitë dhe provat materiale shoqëruese me shkrim të 9 dëshmitarëve në çështjen gjyqësore “Thaçi dhe të tjerët”.

Trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën në lidhje me dëshmitarin e 10-të, pa paragjykuar të drejtën e Prokurorisë për të paraqitur kërkesë për ta thirrur dëshmitarin të dëshmojë në sallën e gjyqit.

Veç kësaj, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për të lejuar pranimin në prova të disa pjesëve të dëshmisë me shkrim të një dëshmitari dhe për ta lejuar atë të dëshmojë nëpërmjet videokonferencës.

“Trupi gjykues theksoi se mbrojtja nuk e kundërshtoi kërkesën dhe konstatoi se dhënia e dëshmisë nëpërmjet videokonferencës është më e favorshme për mirëqenien e dëshmitarit dhe ndihmon në kryerjen e shpejtë të procesit gjyqësor”, thuhet në njoftim.

Të njëjtën ditë trupi gjykues ka miratuar një kërkesë të Prokurorisë që edhe dy dëshmitarë të tjerë të japin dëshmi nëpërmjet videokonferencës. 

Seanca e ardhshme për këtë rast është planifikuar për të hënën, duke filluar në orën 09:00.

Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. 

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat.